Zgjedhjet e pjesshme lokale që po mbahen në 14 komuna në Mal të Zi, duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin, Podgoricën janë një test i madh i besimit të qytetarëve malazezë në partitë politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, kur u ndryshua pushteti.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë rreth 340 mijë zgjedhës, ku garojnë 100 lista zgjedhore për 481 këshilltarë. Gara zhvillohet mes dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi. Në njërën anë janë partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, që mbi 30 vite e mbanin pushtetin në Mal të Zi dhe në anën tjetër janë partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb dhe pro-rus.
Ndërsa grupimi i parë në këto zgjedhje lokale ka dale i bashkuar në koalicione grupimi i dytë garon kryesisht i ndarë në disa forca politike.
Zgjedhjet mbahen në kulmin e krizës politike në vend, kur qeveria në detyre e Dritan Abazoviçit humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re.
Në prag të këtyre zgjedhjeve të pjesshme lokale parlamenti malazez shkarkoi ministrin e Mbrojtjes Rashko Konjeviç dhe atë të Punëve të Jashtme Ranko Krivokapiç me votat e 41 deputetëve të partive dhe koalicioneve të shumicës të formuara pas zgjedhjeve të Gushtit 2020.
Shkarkimi i ministrave të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes që përfaqësonin partinë e presidentit Gjukanoviç u iniciua nga kryeministri Abazoviç.
Në të njëjtën kohë, në mungesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit, që bojkotuan seancën, parlamenti nuk zgjodhi dot katër gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese pasi nc votim kërkohej një shumicë prej 54 votash.
Nga 14 komunat ku votohet, nëntë prej tyre janë qeverisur nga Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviç me partnerët në koalicion.