Lula da Silva ka fituar zgjedhjet presidenciale në Brazil duke mundur me një rezultat të ngushtë Jair Bolsonaron sipas shifrave zyrtare.

Da Silva ka postuar një fotografi me flamurin brazilian në dorë ku shkruan “Demokraci”.

Ky është një rikthim në pushtet për 77-vjeçarin Da Silva, i cili u burgos në vitin 2018 për një skandal korrupsioni. Kjo u bë shkak që ai të dalë nga gara zgjedhore e atij viti duke i hapur rrugë fitores së rivalit të tij Bolsonaro.

Pasi u shpall fitorja e tij, ai tha: “Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë, dhe unë jam këtu!”

Dhe në fjalimin e tij të parë para kombit si president i zgjedhur, ai u zotua se angazhimi i tij më urgjent do të ishte “t’i japë fund urisë” në Brazil.

Fitorja e tij shënon herën e parë që nga kthimi i Brazilit në demokraci në vitin 1985 që presidenti në detyrë nuk ka arritur të rizgjidhet.