Forcat politike pro-ruse dhe pro-serbe rezultojnë fituese të zgjedhjeve vendore në 14 komuna në malin e zi, sipas rezultateve paraprake. Edhe pse koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç fitoi më shumë vota, “Fronti Demokratik”, “Demokratët” dhe partia e sapo themeluar “Evropa Tani”, mund të udhëheqin në koalicion, në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë.
Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik partia pro-evropiane e presidentit Gjukanoviç fitoi më shumë mandate në disa qytete, por për shkak të mungesës së koalicioneve të mundshme pas zgjedhore, pushtetet vendore do të formohen nga kundërshtarët e tyre politikë. Përveç Podgoricës, Partia Demokratike Socialiste me aleatët e vet humbi Danilovgradin, Kolashinin, Zhablakun, Plevlen, ndërsa arriti të mbajë pushtetin në Bijelo Pole dhe Tivar. Sakaq, Fronti Demokratik pro-serb arriti ta ruaj pushtetin absolut në qytetin bregdetar, Budva.
Zgjedhjet u konsideruan si shumë të rëndësishme, pasi vunë përballë dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi. Në njërën anë ishin partitë pro-europiane të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, që mbanin prej 30 vitesh pushtetin mbanin pushtetin në Mal të Zi dhe në anën tjetër, partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb dhe pro-rus.
Zgjedhjet mbahen në kulmin e krizës politike në vend, kur qeveria në largim e kryeministrit Dritan Abazoviq humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re. Ato konsiderohen një test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.