Orkestra frymore të ushtrisë shqiptare, në bashkëpunim me atë të Kosovës dhe vendeve të tjera të NATO, në veçanti ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të zhvillojnë më 3 dhjetor në Tiranë një koncert bamirësie për Ukrainën.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë që përkon njëherësh edhe me 110-vjetorin e krijimit të ushtrisë shqiptare.
Koncerti do të zhvillohet më 3 dhjetor, ora 19:00 në Pallatin e Kongreseve nën moton “110 vjet Forca të Armatosura – Së bashku për paqen”.
“Në këtë koncert do të përformojnë mbi 300 artistë nga Orkestra Sifonike e FA, Kori i FA, Banda e Ushtrisë shqiptare dhe Bandat e ushtrive të Kosovës dhe vendeve të NATO nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia. Kjo është hera e parë që një event i këtij dimensioni zhvillohet në Shqipëri. Të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Ministria bën me dije gjithashtu se të gjithë ata që duan të marrin pjesë mund t’i rezervojnë biletat në faqen e internetit ëëë.vivere.al ose duke telefonuar në nr. e telefonit 0696673220.
Mbështetës të këtij eventi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura janë edhe Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe ambasada e Ukrainës në Shqipëri.