Artur Ajzai/ Sali Berisha, ka vendosur të “mbushë” sheshin dhe bulevardin e Tiranës me protestues. Ka vendosur ti tregojë pikërisht liderëve të Bashkimit Europian se “Shqipëria ka edhe opozitë, ka edhe Sali Berishë”. Ka vendosur ti tregojë liderëve të BE-së “hallet e shqiptarëve, problemet e tyre”, por ka harruar diçka edhe më të rëndësishme. Dita e 6 Dhjetorit, do të jetë fitorja më e madhe e Edi Ramës.
Do të jetë dita kur BE-ja, do të shohë “live” se si përpiqet non-grata Berisha, të ndalë integrimin, progresin, dhe zhvillimet pozitive që ka nisur Shqipëria në raport me partnerët e saj ndërkombëtarë. Bashkimi Europian, nuk ka patur dhe nuk ka nevojë kurrë , të mësojë nga Sali Berisha se “kur dhe si informohet për hallet e problemet e shqiptarëve”, pasi ka strukturat dhe forumet e saj perfekte edhe në Tiranë. Hapja e procesit të negociatave me BE-në, ishin përgjigja më e duhur për atë pjesë të kalbur të klasës politike në Shqipëri.
Dita e 6 Dhjetorit, ardhja e liderëve të BE-së, dhe mungesa e vëmëndjes ndaj një politikani pengues kronik ndaj çdo përpjekje për integrimin dhe përparimin e vendit të tij, janë jo vetëm përgjigja më e mirë, por dhe fitorja e madhe e Edi Ramës. Sali Berisha nuk e ka kuptuar se, Europa e 2022, nuk është Europa e 1992, kur i shiste ish-komunistin e thekur, për “demokrat të kulluar”. Europa dhe SHBA-ja e 2022, nuk është ajo e 1992, kur Sekretari Amerikan Bejker erdhi, pa, dhe iku duke menduar se “ndoshta edhe një ish-komunist mund ta shpjerë Shqipërinë në BE- dhe rrugën e duhur të demokracisë perëndimore”, por u gabua. Por ora e Berishës, ka mbetur në vend, dhe nuk ka gjasa të vijë atje ku duhet.
Dita e 6 Dhjetorit, do të rikonfirmojë europianisht Edi Ramën, si lider Rajonal, dhe kryeministër i suksesit, përballë një opozite destruktive, që ka marrë në duart e saj flamujt e antidemokracisë, antiamerikanizmit, dhe antieuropës. Dita e 6 Dhjetorit, do të degradojë përfundimisht përpjekjet antiligjore, antihumane, dhe antieuropiane të njeriut që kurrë nuk ka dashur ta shohë mirë Shqipërinë, dhe anëtare dinjitoze në Bashkimin Europian.
Ç‘nuk ka thënë, në shqip dhe gjuhë të huaj Sali Berisha për vendin e tij, qeverisjen legjitime të vendit të tij, për shqiptarët, derisa vendosi të mos ndalet edhe në përpjekjen e fundit të tij, të protestojë ditën kur liderët e Bashkimit Europian, vijnë në Tiranë, si një vlerësim maksimal për kryeministrin e vendit Edi Rama. Sali Berisha, ende nuk e ka kuptuar se, ai nuk përbën më asnjë problem për faktorin ndërkombëtar, sepse ai nuk përbën më, as lajm për mediat e huaja, sepse punon kundër interesave kombëtare, dhe pengon rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane.