Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 78-vjetorit të Çlirimit të vendit, në qytetin e Korçës. Ministri Peleshi vendosi një kurorë me lule në varrezat e dëshmorëve të qytetit, për të shprehur mirënjohjen për sakrificën e tyre. Pjesë e ceremonisë ishin Prefekti i qarkut, kryetarët e bashkive, deputetë të qarkut, veteranë si edhe familjarë të dëshmorëve.

I pyetur nga media, ministri Peleshi u shpreh se sot jetojmë në kohën kur paqja dhe siguria janë cenuar dhe përgjigja më e mirë e aleancës sonë që qëndron në anën e lirisë, është solidariteti dhe bashkëpunimi.

“Nuk ka rrugë tjetër përveçse se të bëhemi të gjithë bashkë në anën e lirisë, kundër agresionit, të evokojmë paqen. Sot këtu është dita. Këtu prehen dëshmorët e këtij qarku që u ka dhënë jo pak përpjekeve për liri e pavarësi. Jam këtu si Ministër i Mbrojtjes, sepse duam të tregojmë se i gjithë populli shqiptar ishte në anën e së mirës, ishte në anën e lirisë dhe paqes dhe kjo na jep ne të drejtë edhe historike për të kërkuar të jemi plotësisht të integruar. Jemi në NATO, por duam të integrohemi plotësisht edhe ne BE”, u shpreh ministri Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se këtë herë Forcat e Armatosura vijnë me një plan aktivitesh për të sjellë mesazhin edhe përmes muzikës. Disa koncerte do të zhvillohen në qytete të Shqipërisë nga bandat e FA të Shqipërisë, Kosovës, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të NATOS. Aktivitetet do të kulmojnë me koncertin Gala më 3 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve.