Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas akuzave të opozitës lidhur me Portin e Durrësit. Përmes një postim në rrjetin social Facebook, Balla deklaron se Projekti ka një vlerë investimi mbi 2 miliardë Euro me një impakt ekonomik direkt që përfshin të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga zhvillimi i kësaj zone. Ai shton më tej se rreth 12 mijë persona do të punësohen në këtë zonë.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
Aleanca Rublave do të vazhdojë të sulmojë Portin Turistik të Durrësit, për hesap të bordorosë ku ata firmosin çdo ditë, për shkak të urrejtjes dhe tradhëtisë ndaj Shqipërisë dhe interesave të saj. Nuk ka shqiptare e shqiptar që nuk e ka kuptuar që ky sulm i opozitave është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit.
Pak ditë më parë në parlamentin grek, vend anëtar i Bashkimit Europian, opozita kritikoi Qeverinë për humbjen e këtij investimi, me arsyetimin pse po shkon në Shqipëri dhe nuk e mori Qeveria greke për Portin e Selanikut. Ndërsa në Shqipëri opozitat janë vënë në garë me njëra-tjetrën se kush e sulmon më shumë Qeverinë se pse e solli këtë investim në Durrës. O zot! Projekti ka një vlerë investimi mbi 2 miliardë Euro me një impakt ekonomik direkt që përfshin të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga zhvillimi i kësaj zone, si të ardhurat nga shitja e apartamenteve, hoteleria, ankorimi i anijeve e jahteve, etj.
Impakti Direkt përfshin gjithashtu punësimin e rreth 12.000 personave, fillimisht në ndërtimin e kësaj zone, më pas gjatë menaxhimit të saj si punësimi në hotele, në restorante, në njësi biznesi dhe shërbimesh. Zhvillimi i zonës do të sjellë për Durrësin përmirësim të infrastrukturës dhe faciliteteve urbane, forcimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve sociale, rivitalizimi të artit dhe kulturës në një mjedis turizmi elitar.