TIRANË- Ambasadori britanik Alastair King-Smith ka folur mbi debatin e shkaktuar kohët e fundit për emigrimin e paligjshëm të shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ambasadori ka pasur një thirrje të drejtpërdrejtë për shqiptarët, ku iu kërkon atyre që të mos shkojnë në Britani me gomone, apo në rrugë të tjera të paligjshme, pasi mund të gjejnë alternativa të ligjshme për të shkuar në Britani, ku shqiptarët mund të integrohen atje.

“Siç jeni në dijeni nga raportimet e fundit në media, ne po përballemi me një sfidë të përbashkët, rritjen e numrit të shqiptarëve që po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme. Të dy qeveritë tona po punojnë bashkërisht për t’u treguar njerëzve se ka alternativa, qoftë këto të lidhura me mundësitë e vlefshme brenda Shqipërisë apo përmes rrugëve të ligjshme për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ne po punojmë për të garantuar që komuniteti shqiptar të marrë vlerësimin e duhur për kontributin e tij dhe që shqiptarët këtu të mos mendojnë se zgjidhja e vetme është të braktisin vendin”, -tha Ambasadori britanik Alastair King-Smith.

Kjo thirrje e ambasadorit britanik vjen në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Mbretërisë së Bashkuar edhe Shqipërisë, ku u çel edhe një ekspozitë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, e cila do të jetë e hapur për publikun, nga ora 09:00 19:00 deri të shtunën më 19 Nëntor.

Ky mesazh i ambasadorit vjen pas debateve që janë hapur për emigrimin e shqiptarëve vijnë pasi sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman e cilësoi si ‘pushtim’ nga shqiptarët që përshkrojnë me varka kanalin e Lamanshit. Ajo shtoi se për këtë probklematikë shumë të madhe duhet të gjendej një zgjidhje.