Intervistë e Ambasadorit të Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha për ATSH-në.
Ambasadori i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara, Ermal Dredha deklaron se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera të cilat reflektohen si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm me përfitim reciprok në organizatat ndërkombëtare.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Dredha ka folur për historikun e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke qenë se ky vit përkon me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve që datojnë prej datës 1 qershor 1992.
Gjatë intervistës për ATSH-në, ambasadori u ndal tek ndihma që Emiratet ofruan për Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019 si dhe tek mbështetja financiare për projekte të rëndësishme infrastrukturore sikurse ishte ndërtimi i tunelit në autostradën Tiranë-Elbasan apo edhe rikonstruksioni dhe zgjerimi i Bulevardit kryesor të Tiranës.
Dredha veçon ndërtimin e Portit të ri turistik të Durrësit, që sipas tij, do të shërbejë jo vetëm në promovimin e Shqipërisë si një destinacion i sigurt për investimet e huaja, por njëkohësisht, do të krijojë minimalisht 12 mijë vende të reja pune.
Në intervistën për agjencinë zyrtare të lajmeve, diplomati Dredha vlerësoi pjesëmarrjen për herë të parë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare përfaqësuar nga drejtoresha e Përgjithshme Valbona Zhupa, në Kongresin Global të Medias që u mbajt nga data 15 deri më 17 nëntor në Abu-Dabi nën kujdesin e sheikut Mansour bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër dhe ministër i Çështjeve Presidenciale, Kompania Kombëtare e Ekspozitave të Abu-Dabit (ADNEC) dhe Agjencia e Lajmeve e Emirateve të Bashkuara Arabe, WAM.
Ambasadori Dredha përgëzoi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Agjencisë së Lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, WAM, që u nënshkrua nga drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa dhe Mohammed Jalal Al Raisi, drejtor i përgjithshëm i WAM-it me fokus zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e shkëmbimit të lajmeve, fotove dhe videove për t’i dhënë më shumë akses, ekonomisë, turizmit, kulturës, artit.
Në këtë Kongres, i pari i këtij lloji në Lindjen e Mesme, ku merrnin pjesë më shumë se 200 CEO dhe mbi 1 200 pjesëmarrës përfaqësues të medieve dhe bizneseve nga 6 kontinente, ATSH ishte e pranishme për herë të parë me stendën e saj.
Z.Dredha, ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Cilat kanë qenë disa nga momentet më kyçe të cilat mendoni që kanë ndikuar në zgjerimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve?
Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera të cilat reflektohen si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm me përfitim reciprok në organizatat ndërkombëtare. Ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve, të cilat datojnë prej datës 1 qershor 1992.
Në vitin 2010, Shqipëria hapi zyrtarisht Ambasadën në Abu Dhabi, ndërkohë që EBA e mbulojnë Shqipërinë nga Ambasada e tyre në Athinë, Greqi.
Shqipëria i sheh Emiratet e Bashkuara Arabe si një partner të rëndësishëm jo vetëm në aspektin dypalësh, por si një faktor stabiliteti në rajonin e Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
Vlen të theksojmë se vitet e fundit marrëdhëniet mes vendeve janë rritur ndjeshëm, shoqëruar me vizita të nivelit të lartë ku dialogu i shpeshtë ka qenë instrumenti thelbësor në rritjen e bashkëpunimit dhe arritjen e mirëkuptimit për çështje të ndryshme. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka vizituar Emiratet e Bashkuara Arabe vetëm në dy vitet e fundit 5 herë, gjë e cila dëshmon gatishmërinë për të afruar marrëdhëniet miqësore mes dy Kombeve.
Të dyja vendet tona kanë dhënë mbështetje reciproke në zgjedhjet e mbajtura për të shërbyer si anëtarë jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit në OKB, për periudhën 2022-2023, ku vijon të kemi një bashkëpunim konstant në promovimin e vlerave dhe paqes në botë.
Gjatë rrugëtimit drejt ndërtimit apo përballjes me momente të vështira në vendin tonë, Emiratet e Bashkuara Arabe me liderët e tyre vizionarë, kanë qenë aty për të mbështetur pa asnjë hezitim popullin shqiptar, gjë e cila na bën t’i jemi shumë mirënjohës.
Në fillim të vitit 1999, i ndjeri Sheikh Zayed, Babai i Kombit, ishte ndër liderët e parë botërorë që shprehu mbështetjen për vendimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) për të nisur fushatën e saj ajrore për të detyruar Serbinë të ndalojë aktivitetet gjenocidale kundër popullit të Kosovës. Nga fundi i vitit 1999 deri në vitin 2001, kontingjenti i Emirateve të Bashkuara Arabe që shërbente me Forcën paqeruajtëse të OKB-së në Kosovë (KFOR) ishte më i madhi nga një vend jo-anëtar i NATO-s.
Z.Ambasador, cilat kanë qenë fushat apo ndihma konkrete që ka ofruar Qeveria EBA për Shqipërinë?
Qeveria e EBA ka mbështetur disa projekte strategjike në Shqipëri përmes formës së Granteve ose kredive të buta, të kanalizuara nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit (ADFD). Gjej rastin të përmend: mbështetjen financiare për ndërtimin e tunelit në autostradën Tiranë-Elbasan; rikonstruksioni dhe zgjerimi i Bulevardit kryesor të Tiranës; ndihma e dhënë për përballimin e situatës gjatë pandemisë Sars-2, COVID-19, si dhe i një rëndësie të veçantë, reagimi i menjëhershëm i Lartësisë së Tij, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nahyan, President i EBA (në atë periudhë Princ i Kurorës së Abu Dhabit dhe Zëvendës Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të EBA), në mbështetje të Shqipërisë pas goditjes nga tërmeti vdekjeprurës që goditi vendin tonë më 26 nëntor 2019. Më anë të një vendimi urgjent, EBA akorduan menjëherë 3 milionë euro për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti, si dhe në muajin shkurt 2020, në Konferencën e Donatorëve mbajtur në Bruksel, Emiratet e Bashkuara Arabe akorduan 70 milionë euro grant, (vlera me e lartë e dhënë nga një shtet në mbështetje të rindërtimit të vendit pas tërmetit), shumë e cila do të mundësojë ndërtimin e 2000 apartamenteve në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.
Si e konsideroni ju projektin për ndërtimin e Portit të ri turistik në Durrës nga Kompania Emaar?
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik mes vendeve, mbetet e një rëndësie të veçantë rritja e marrëdhënieve tregtare, por ndërkohë vlen të theksojmë si një moment kyç interesin e një prej Kompanive më të mëdha të ndërtimit në EBA “Kompania Emaar”, ku pas një negociate tre vjeçar me CEO-n e Z. Mohammed Al Abaar, në muajin Gusht 2022 u nënshkrua zyrtarisht kontrata me Qeverinë Shqiptare, e cila i hapi rrugë ndërtimit të projektit ambicioz “Ballina e Durrësit”, një projekt multidimensional i cili sigurisht, do të shërbejë jo vetëm në promovimin e Shqipërisë si një destinacion i sigurt për investimet e huaja, por njëkohësisht, do të krijojë minimalisht 12 mijë vende të reja pune.
Z.Dredha, turizmi është një ndër sektorët e rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në opinionin tuaj, sa prioritet i është dhënë këtij sektori dhe si është pritur vendosja e fluturimeve direkte?
Pas përpjekjeve të vazhdueshme për vendosjen e fluturimeve direkte mes vendeve, në muajin mars 2021, Komania Fly Dubai vendosi zyrtarisht në hartën e destinacioneve të reja edhe Shqipërinë. Vlen të theksoj se, sipas deklaratave të drejtuesve të Kompanisë, ky ka qenë një vendim i suksesshëm, i reflektuar në numrin e lartë të udhëtarëve nga të dyja kahet. Në muajin shtator 2021 Kompania Wizzair Abu Dhabi do të bënte të njëjtën gjë, duke shtuar Shqipërinë në listën e destinacioneve të reja. E theksoj këtë moment, sepse ky zhvillim ka ulur ndjeshëm jo vetëm kostot dhe orët e shpenzuara për qytetarët nga të dyja vendet, por në të njëjtën kohë, ka shërbyer si një urë lidhëse për të njohur më nga afër, zakonet, kulturën, historinë, bukuritë natyrore, e për më tepër, krijimin e mundësisë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thithjen e investimeve direkte.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrë vendim për të hequr vizat për shtetasit shqiptarë mbajtës të pasaportave të thjeshta. Palët janë duke punuar për përmbylljen e procedurave të brendshme dhe shumë shpejt pritet që vendimi të hyjë në fuqi. Ky vendim reflekton më së miri përpjekjet e të dy vendeve për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gjatë muajit nëntor u kremtua Java e Kulturës së Emirateve të Bashkuara Arabe. Në fakt kultura është ajo që bashkon popujt apo jo?
E vërtetë. Në kuadër të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, u kremtua Java e Kulturës së Emirateve të Bashkuara Arabe në datat 12-18 Nëntor 2022 me një numër të madh aktivitetesh kulturore të artistëve të ardhur nga Emiratet, jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera. Këto aktivitete përfshinë ekspozita, që nga pëlhurat, arti islamik, shfaqje me fajkua që është edhe sporti tradicional i Emirateve, degustime të kafesë së famshme arabike e shumë të tjera. Java e Emirateve të Bashkuara Arabe u kremtua edhe me një performancë nga Banda Kombëtare e Emirateve në Pallatin e Brigadave, bandë e cila është krijuar në janar të vitit 2020 nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Rinisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, si pjesë e strategjisë së saj për të fuqizuar dhe nxitur sektorin kulturor dhe krijues, për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të zhvilluar dhe prezantuar krijimtarinë e tyre nëpërmjet trupës muzikore, dhe njëkohësisht për të ruajtur frymën e identitetit të Emirateve, artistikisht dhe për të pasuruar Bibliotekën Kombëtare të Shtetit me krijime të shquara muzikore dhe artistike.
Gjatë këtij aktiviteti u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy Ministrive të Kulturës, për ta çuar më tej bashkëpunimin edhe në sektorin e kulturës.
Gjithashtu, të mos harrojmë pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairin “EXPO 2020 DUBAI”, ku krahas 190 shteteve pjesëmarrëse, edhe Shqipëria kishte pavijonin e saj të titulluar “Albania a Timeless Trip”, mundësuar nga ndihma dhe mbështetja e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Një nga objektivat kryesorë mbetet promovimi i Shqipërisë si një partner i besuar tregtar sa i përket investimeve të huaja në një sërë sektorësh të rëndësishëm për vendin si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia. Kjo reflektohet edhe në disa marrëveshje bashkëpunimi që Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar në fushën e ekonomisë, sikurse është Marrëveshja për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve e cila ndihmon dhe mbron investitorët nga të dyja vendet.
Zoti Ambasador, a mund të na thoni diçka në lidhje me komunitetin shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe?
Në fakt janë popujt ata që e çojnë marrëdhënien mes vendeve në një nivel tjetër. Në këtë kontekst, Ambasada Shqiptare në EBA ka një falenderim të veçantë për rolin që luan komuniteti shqiptar që jeton në EBA (edhe pse komunitet i ri dhe i vogël në numër), sa i përket promovimit të vlerave, traditave, kulturës dhe bukurive të vendit tonë. Me krenari shtoj se, në një kohë relativisht të shkurtër, shqiptarët rezidentë në Emiratet e Bashkuara Arabe po integrohen më së miri.