Nga Frrok Çupi
Hamendje, hamendje, hamendje pa fund…, çfarë do të ndodhë në 6 dhjetor. Data 6 është projektuar si më e mira në historinë e re të shtetit shqiptar, por po trembet si ditë frike dhe absurdi.
Më të mirën në historinë e shtetit, ditën 6 e bën ulja e ‘avionit’ të Bashkimit Europian në Tiranë; atë ditë mblidhet këtu Samiti i BE mbi Ballkanin Perëndimor. Kurrë nuk ka ndodhur deri më sot ngjarje si kjo, që ‘mali të vijë’ te qytetari i izoluar në dekada. As ka për të ndodhur më, derisa dielli vërtet të lindë nga kodrat e Durrësit.
Po ‘ditë absurdi’, çfarë e bën njëkohësisht ditën e shënuar për mijëra vjet? E dinë të gjithë, dhe e perceptojnë me frikë të gjithë. Atë ditë, Sali Berisha, i korruptuari i madh dhe mina mbi shtetin e demokracisë, ka kërcënuar se ‘nuk ka forcë në botë’ që e ndalon. Me një grup militantësh do të radhitet jashtë Samitit dhe do të bëjë të vetën.
Cila është “e vetja”?
E para që mund të bëjë është që mes militantëve, mund të vendosë një ose dy bomba që do të shkaktojnë lajmin e botës. ‘BE u sulmua në Tiranë’, do të shkruajnë agjencitë e lajmeve në mbarë botën. Ja, ta zëmë, nuk ndodhi kjo.
Do të ndodhë që duke u afruar në rrezen e sigurisë, të nisë një sulm. Zona e Sigurisë është përcaktuar nga qeveria shqiptare, nga kujdesi i Sigurisë Europiane, sipas informacioneve të CIA ose MI6…, megjithatë këta të Berishës thonë se do ta shkelin. Mund të ketë të papritura; njerëzit po hapin sytë dhe veshët.
Grupimi Rithemelimi ka deklaruar se do ta ‘çajë kordonin’ e sigurisë, dhe të përfundojë në Bulevard, pranë Samitit. Kjo ka gjasa që me siguri do të ndodhë. Berisha e ka mbajtur fjalën sa herë ka premtuar dhe projektuar dhunë, djegien e qytetit, vrasjen e kundërshtarëve edhe në Bulevard (Kundërshtarë të tij sot janë perëndimorët, këta që vijnë në Samit)…
Presidenti dhe kryeministri Sali Berisha, është i vetmi i gjallë nga lloji i tij, që e ka dhunuar popullin e vet hapur në mes të ditës, me ushtri, me militantë të njërës krahinë kundër krahinës tjetër, me vjedhje, me shantazhe, me bomba dhe vrasje pas krahëve. Skema me Samitin i shkon shumë gjithë metodave të Berishës; ai e ka nisur sulmin kundër ambasadës amerikane që nga kalaja Toptani deri në rrugën e Elbasanit; tani që afrohet pranë- tani skema i bëhet më e lehtë.
Ja që nuk paska për të ndodhur edhe kështu. Liderët e lartë të shteteve të BE do të vijnë e shkojnë shëndosh e mirë, pa e ditur fare çfarë bën Saliu me tufën e tij. BE merr avionin e shkon.
Problemi është se këtu mbetën dy elementët e tjerë nën skllavërinë ‘Berisha’. Mbetet 1- Bulevardi dhe 2- Qytetarët e këtushëm. Qytetarët e lindur e rritur në këtë vend; disa prej të cilëve po bëhen prindër duke u frikësuar ‘na erdhi Berisha’ sot e ‘na sulmoi’ nesër. Po shteti? Shteti, çfarë bën? A i mbron shteti njerëzit nga dhunuesit e këtushëm?
Ta zëmë se Berisha nuk është një njeri i ‘plagosur’ nga SHBA dhe BE e tash po kërkon një strofkë. Puna vjen si me fatkeqësinë që u kanoset njerëzve; fatkeqësia dhe terrori shkaktojnë më shumë frikë se dëm tjetër. Çfarë bën shteti?
Shtetin e kemi parë: Shkon në Urën e Bunës, në Nënshkodër, në Lumin e Vjosës dhe lufton me ujin që përmbyt banesa e rrezikon jetë… Shteti shkon te banesat e shembura nga tërmeti dhe merr mbi vete barrë të madhe, barrën e rindërtimit- bashkë me Europën…
Po këtu në ‘Bulevard’ kush e mbron njeriun? ‘Bulevardi’ është më i lakmuari dhe më i sulmuari, sepse është pjesë e qytetit dhe kushdo ‘jashtë- qytetës’ mund ta synojë. ‘Jashtë- qytetës’ janë edhe të gjithë ata që nuk pyesin për ligj, as ‘për leje nga policia’ dhe gajle nga qytetaria.
Në Bulevard njeriu është më i rrezikuar se në malet me borë, këtu rrezikohet ‘polisi’, ndjeshmëria, fryma. Askush nga Bulevardi nuk e rrezikon malin, ndërsa nga mali zbresin qenie me të cilat nuk mund të merresh vesh, dhe kush i ndalon?!
Kush e ndalon ariun që të hyjë në Bulevard? Ai nuk njeh as vija të bardha këmbësorësh, as shigjeta rrugë- makinash, as kordonë, as ligje… Atëherë, çfarë bën shteti me forca të verbër?
Tani ‘forcë e verbër’ po quhen edhe ato krime të kryera nga njeriu, por që u ka kaluar koha për t’u shpaguar, dmth., për t’u gjykuar. Askush nuk e mohon se ka ndodhur krimi, por askush nuk e gjykon. Janë hapur gropa të mëdha korrupsioni, janë vjedhur miliarda, janë pasuruar pjesëtarët e familjes pa punuar kurrë, po përdoren paratë e vjedhura për të paguar ‘protesta’ e frikë, sulme, kamikazë, media, mexhlise…
Ta zëmë se edhe këtë pasuri e mori ariu që hyri në Bulevard. Po vallë shteti çfarë bën? A do t’i kthehet publikut pasuria që ia grabitën?. Këtë kërkon ‘Bulevardi’, nuk kërkon pushtimin e Dytë Kushedi sa pyetje i vijnë në kokë njeriut kur ndodhet para Qytetarisë, por tjetri kërcënon me armë dhe i sulet Bulevardit.