Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me një delegacion të Parlamentit Europian të përbërë nga Predrag Fred Matić (grupi i socialistëve dhe demokratëve), Rosa D’Amato (grupi i të gjelbërve) dhe Ladislav Ilčić (grupi i konservatorëve dhe reformistëve europianë). Balla dënoi deklaratat diskriminuese ndaj shqiptarëve bërë nga një anëtar i Parlamentit Europian, Nicolas Bay.
“Dënojmë deklaratat kundër shqiptarëve, gjatë një vizite në Kosovë, të anëtarit të Parlamentit Europian, Nicolas Bay. Ky përfaqësues i ekstremit të djathtë ka bërë deklarata tepër të rënda fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe besimeve tona fetare, duke cenuar rëndë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, si komb autokton në Kosovë. Parlamenti Europian në respekt të rregulloreve të veta kundër racizmit dhe anti-diskriminimit duhet të dënojë këto deklarata të papërgjegjshme”, tha Balla.
Ai u shpreh se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një kontekst të ri gjeopolitik dhe sipas tij, “Bashkimi Europian duhet të tregojë më shumë solidaritet me vendet e Ballkanit Perëndimor në përballimin e efekteve të kësaj lufte”.
“Jemi në një kontekst të ri gjeopolitik pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Nuk është një luftë që ne e kemi zgjedhur vetë, por një luftë të cilën një agresor si diktatori i Rusisë i’a ka shpallur Europës dhe në këtë luftë Shqipëria është në krahun e duhur të historisë, përkrah vendeve demokratike. Kjo luftë na ka prekur të gjithëve, ka prekur xhepat e çdo familjeje shqiptare sepse inflacioni i luftës ka prekur çmimet, por duhet të jemi të sigurt që ne do fitojmë çdo luftë së bashku. Bashkimi Europian duhet të tregojë më shumë solidaritet me vendet e Ballkanit Perëndimor në përballimin e efekteve të kësaj lufte”, tha Balla.