Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Energjinë që po mbahet në Abu-Dabi.
Balluku deklaroi se gjatë konferencës u diskutua mbi sfidat e krizës energjetike dhe axhendën e gjelbër për dekarbonizimin.
“Në Konferencën Ndërkombëtare të Energjisë të zhvilluar në Abu-Dabi tematikë e rëndësishme ishte siguria energjetike, qëndrueshmëria energjetike dhe pa dyshim çmimet e përballueshme që duhet të ketë ky treg energjetik në të ardhmen. U diskutua gjithashtu i gjithë plani për COP 27, pasi përveç sfidës së kësaj krize, para nesh ndodhet sfida më e madhe, ajo sfidë strategjike që ka të bëjë me axhendën e gjelbër për dekarbonizimin e të gjithë globit në vitet e ardhshme deri në 2050-ën. U diskutua mënyra se si në këto momente, në mënyrë solidare, të gjitha vendet duhet të mbështesin njëri-tjetrin. U diskutua tipologjia e secilit vend dhe se si vendet po e përballojnë krizën energjetike”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja Balluku theksoi se kishte ndarë gjatë kësaj konference politikat që po ndjek Shqipëria në këtë drejtim, ndërsa me aktorë të njohur të sektorit kishte diskutuar mbi mundësitë për investime.
“Shqipëria ndau me anëtarët e tjerë e tjerë të kësaj konference të rëndësishme historinë e saj për sa i përket burimeve të rinovueshme, të gjitha planet që kemi për të ardhmen dhe sigurisht çfarë kemi bërë deri më sot për të mbrojtur qytetarët tanë me mburojën sociale energjetike. Janë shumë të rëndësishme këto takime, pasi gjejmë mbështetje nga aktorët më të rëndësishëm të tregut ndërkombëtar të energjisë, qoftë kjo elektrike apo qoftë kjo e gazit, që përputhen me planet tona të së ardhmes, që shumë shpejt do të bëhen edhe publike për të pasur një informacion më të gjerë mbi gjithçka ne planifikojmë. Është e rëndësishme gjithashtu që asnjë nga shtetet të mos ndalojë zhvillimet që ka nisur për dekarbonizimin, siç është e rëndësishme që deri në vitin 2030 Europa të ketë gjetur burime të tjera alternative”, tha ajo.
Balluku bëri të ditur se Shqipëria ka plan të qartë për dekarbonizimin.
“Shqipëria ka një plan shumë të qartë për këtë. Ne synojmë që deri në vitin 2025 që të vëmë në funksion parqet tona të reja fotovoltaike dhe ato eolike dhe më pas me shtimin e kapaciteteve që do të vijnë nga TEC-i i Vlorës ne synojmë që ky miks energjetik t’i japë Shqipërisë një pavarësi energjetike, duke e kthyer atë deri në vitin 2029 një fuqi eksportuese neto dhe jo importuese, siç jemi sot. Të gjitha këto plane janë prioritet i qeverisë dhe ne nuk do të ndalemi”, tha Balluku.