Kandidati i primareve të ‘Rithemelimit’, Ilir Alimehmeti është shprehur i hapur për të bërë një debat publik me kundërshtarin e tij, Erion Veliaj. I ftuar në ‘Kontrast’ me gazetarët Denis Minga dhe Lorenc Vangjeli, Alimehmeti tha se do e pranonte një ftesë të tillë, sigurisht nëse kjo është për të mirën e demokracisë.
“Jam i hapur ndaj debatit, edhe me Erion Veliaj, nëse kjo i bën mirë, nëse harxhon kohën publike, jo, nëse ushqen demokracinë absolutisht po”, tha Alimehmeti.
Nëse PD-ja do fitonte Bashkinë, e më konkretisht Alimehmeti, do t’i duhet që të bashkëpunojë me qeverinë e Edi Ramës. Kjo për epidemiologun, nuk është asnjë problem.
“Institucionet flasin më institucionet, jo me emra të përveçëm, asgjë nuk është e gdhendur në gur, por është jashtë emrave të përveçëm, mbulon në funksion publik kryeministri, po ashtu edhe kryetari i Bashkisë, e kanë për funksion të qytetarëve”, tha ai.
Një nga pikat përbërëse të platformës së tij është heqja e taksës së arsimit, transparenca në institucione, problemet administrative. Ai është i mendimit që Veliaj nuk e ka bërë detyrën e tij.
“Betonizimi është problem, u premtua për moratorium, por flasim më ndërtime çdo ditë. Ai i mbetjeve, ka një aferë gjigande, qindra miliona euro që është mos shërbim, kemi problem urbanizimi, probleme me parkimin, trafikun, cilësinë e ajrit. Do hiqja taksën e arsimit, bashkitë e tjera nuk e kanë. (…)Duhet ta heqim këtë idenë që s’ka njerëz të pacenueshëm, nuk ka një transparencë, nëse kërkon një shkresë për informacion, nuk të vjen asnjë përgjigje, janë gati që të paguajnë dhe gjobën dhe nuk japin informacionit”, tha ai.
Në garë për primaret e ‘Rithemelimit’ në Tiranë janë Belind Këlliçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Adriana Kalaja dhe Jul Deda.