Nga Jakin Marena/
Hyrja e kreut të Partisë së Lirisë, ish presidentit Ilir Meta në selinë e PD me “pelerinën” hedhur krahëve për t’u takuar me kreun e “Rithemelimit” ish kryeministrin Sali Berisha u dha nga të gjitha mediat si lajmi i fundit. Kishte simbolikën e vet ky “galopim” i Metës drejt strehës së Berishës, ndoshta për të treguar se situata ishte nën kontroll, për të karikuar militantët që të jenë prezentë në protestën e 6 dhjetorit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë kryeministrisë. Por dh si për të treguar se është gati për “sherr”. Për t’u dhënë zemër ndoshta, dhe për vetë faktin se Policia, kishte kthyer përgjigjie për kërkesën e PD që protesta të bëhet pikërisht përballë kryeministrisë, kishte shqetësimin dhe kujdesin për sigurinë e zhvillimit të Samitit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Dhe për këtë arsye, pasi e ka refuzuar kërkesën e Berishës për të protestuar në bulevard, duke dërguar bashkë me njoftimin për herë të parë në këto 32 vite, edhe perimetrin e sigurisë, ka ofruar çdo shesh tjetër ku opozita të protestonte, pasi është në të drejtën e saj.
Ndonëse moralisht një ditë e tillë kërkonte, që të paktën njëherë në jetën politike shqiptare të kishte solidaritet mes partive politike dhe domosdo dhe mes shqiptarëve e të qëndronin të qetë, pasi njëherë në 100 vite mund ta sjellë rasti dhe fati që krerët e të gjitha vendeve anëtare të BE dhe ato të vendeve të rajonit, të zgjedhin Tiranën si “kryeqytet” të Europës, për të diskutuar mbi përballimin e një lufte. Dhe më shumë se nder për Edi Ramën, si kryeministër aktual i vendit, zhvillimi i këtij samiti të rëndësishëm në Tiranë është një nder për të gjithë shqiptarët që do të kenë më 6 dhjetor jo një mik për ta mikpritur mbi 30 miq-kryetarë shtetesh, të BE dhe të Ballkanit Perëndimor.
Dhe bashkia e Tiranës, ka ofruar për opozitën që të protestojë paqësisht, sheshin kryesor të kryeqytetit, atë “Skënderbej”, i cili krijon tërë hapësirën e mundshme për të përballuar fluksin e militantëve që do të vijnë në protestë, sikurse pretendojnë Berisha dhe Meta. Por që me sa duket kanë atë frikën e arsyeshme se për shkak të rrudhjes së mbështetjes, nxjerr “kallp” tërë kauzën e tyre për një pjesëmarrje masive, pasi mund të rezultojë shesh i zbrazët më 6 maj. Por Berisha dhe Meta dhe sot, në takimin e zhvilluar në selinë e PD buzë Lanës, kanë qëndruar në vendimin e tyre që protesta të bëhet pikërisht përballë kryeministrisë, shumë afër vendit ku do të mbahet samiti i liderëve të BE me ata të vendeve të rajonit, samit që do të diskutojë nga fillimi e deri në fund masat që duhen marrë për të përballuar pasojat e agresionit rus në Ukrainë. Njëherësh pritet të diskutohen dhe masat për të paralizuar të gjitha përpjekjet e Putinit për të krijuar vatra të tjera tensioni në Ballkan sidomos, në mënyrë që të ketë duart e lira tani kur dimri sapo ka hyrë, që të rikthejë agresionin ndaj Ukrainës në pikën e nisjes. Pasi javët e fundit ka humbur shumë terren nga kundër-ofensiva e ushtrisë ukrainase e mbështetur pa asnjë rezervë nga SHBA, vendet anëtare të BE, anëtare të NATO-s dhe e gjithë bota demokratike, e vënë përballë ambicies së Putin për të agresuar fqinjët e më gjërë.
Këmbëngulja e dyshes drejtuese të opozitës, për të mos pyetur për Policinë dhe “perimetrin” e sigurisë që ka vendosur përreth vendit ku do zhvillohet samiti i BE më 6 dhjetor, mes të të cilit gjendet dhe kryeministria ku kjo opozitë kërkon të protestojë me patjetër, do të ketë dhe takime bileterale me kryeministrin shqiptar nga ana e liderëve të BE në selinë e kryeministrisë, na krijon bindjen se Berisha e Meta janë më të vendosur për të krijuar tensione pikërisht në sytë e liderëve evropianë, të mbledhur në Tiranë. Dhe takimi i sotëm mes liderit të PL dhe atij të “Rithemelimit” duket se i shërben këtij skenari, referuar deklaratës së Ilir Metës pas takimit në selinë e PD, sipas të cilit mitingu do të mbahet pikërisht përballë kryeministrisë, dhe se nuk kërcënohej siguria nga kjo protestë. “Në datën 6 përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit dhe minimit të procesit të integrimit evropian me vite. Sigurinë e Evropës e kërcënon vetëm mafia që përdor shtetin për ta kthyer Shqipërinë në bazë logjistike të mafies ndërkombëtare. Nuk vjen asnjë problem i sigurisë nga qytetarët e Tiranës.
Siguria në Shqipëri është nën kërcënimin e mafies në pushtet dhe kurrsesi të qytetarëve të lirë. Së dyti nuk është protestë ndaj kryetarit të bashkisë, pasi bileta e tij është pa kthim më 14 maj, por është njoftuar manifestim pro europian që e gjithë Shqipëria dëshiron të japë mesazh mirënjohje për vendimin me rëndësi edhe gjeopolitik të BE, për të nxitur Shqipërinë dhe vendet e tjera që të ecin në rrugën e integrimit europian. Në Shqipëri s’ka dhe s’duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se Kushtetuta e mbi Kushtetutën është populli europian i Shqipërisë. Dhjetori është muaji i demokracisë. Manifestim paqësor. Dhjetori është muaji i demokracisë dhe i Europës”, tha Meta para gazetarëve, fjalë për fjalë. Ndonëse jemi të bindur se protesta do të qëndrojë në periferi të perimetrit të sigurisë së vënë nga ana e policisë shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, trupat speciale të ardhura bashkë me liderët e BE, si dhe shërbimet inteligjente shqiptare, amerikane, të BE e ato britanike që operojnë në Shqipëri, përpjekja e Berishës dhe Metës për të tensionuar situatën në Tiranë nuk është neglizhuar shpresojnë nga këto organe sigurie.
E themi këtë, pasi Berisha ka dhënë prova se mund të shtyjë turmat e militantëve për përplasje me policinë pikërisht në perimetrin e sigurisë, për të realizuar atë që ai e quan si “komunikim direkt nga bulevardi me BE për keqqeverisjen e Ramës”, a thua se nuk bëhet dhe 100 metra më tutje në sheshin “Skënderbej” një “komunikim” i tillë.
Nëse do të nisemi nga ajo çfarë mendojnë në Shqipëri për protestën e Berishës dhe të Metës, edhe sikur të krijojnë një incident më 6 maj, teksa shqiptarët janë përballuar me bëma më të mëdha të kësaj dysheje drejtuese, ajo që mund të themi është se çudia në Shqipëri zgjat tre ditë. Gjithçka do harrohet, për t’u kujtuar më 14 maj kur vota ndaj këtij segmenti të opozitës shqiptare pritet të jetë masive kundër. Por dhe në zgjedhjet parlamentare të 2025, duke i lënë pafundësisht në opozitë por dhe nën “orgazmën” e këtij tubimi opozitar para liderëve të BE që mblidhen në Tiranë për këtë samit, në bindjen e tyre se i kanë bërë shumë dëm Edi Ramës.
Për hir të së vërtetës kryeministri Rama, më 6 dhjetor pritet të marrë një “asist” nga kjo protestë e opozitës, dhe ka të gjithë të drejtën e Zotit për të thënë vetëm një fjali para liderëve të BE: “E shihni çfarë opozitë apo alternative qeverisëse kemi përballë ne socialistët, si mund të lihen shqiptarët në dorën e të atyre, që kanë në axhendë shërbimin me pagesë ndaj Rusisë”? Ndërsa liderët e BE, jemi të sigurtë se nuk do japin asnjë deklaratë, dhe sikur të krijohet ndonjë incident, në perimetrin e sigurisë, ndërsa do largohen me mendimin se përballë këtyre liderëvë jo vetëm “non grata” por dhe me axhendë ruse, për të mbrojtur demokracinë shqiptare që është në rrezik por dhe Shqipërinë e rrezikuar nga ndikimi rus, si investimi i vetëm “rentabël” është mbështetja e Ramës. Pra është interlokutori i vetëm në Shqipëri për perëndimin e për pasojë, Rama, politikani më me fat në Shqipëri, do të qeverisë i vetëm derisa të mërzitet. Sa kohë të jenë Berisha e Meta në krye të shumicës së opozitës, të kuptohemi.
Njëherësh, referuar axhendës së samitit të liderëve të BE bashkë me ata të rajonit, që konkludon sikurse theksuam dhe në diskutimin e masave për të përballuar pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe për të mbrojtur rajonin nga depërtimi i ndikimit rus, ajo që mund të themi është se situata mund të shihet më thellë se kaq. Jo për shkak të sigurisë. Ajo është e garantuar në mënyrë të shumëfishtë jo vetëm nga pala shqiptare, duke mos lënë të lëvizë as ‘zogu’. S’ka neglizhencë, jemi në situatë lufte. E vërteta është se, për shkak të axhendës ruse të krerëve të opozitës shqiptare, është e faktuar dhe në raportin më të fundit të CIA-s amerikane, situatën e tensionimit që kërkojnë të imponojnë Berisha dhe Meta me protestën e tyre më 6 dhjetor, vendet anëtare të BE, përfshirë dhe SHBA-të që në një formë apo tjetër janë prezente në këtë samit, mund ta shikojnë si një investim rus për të krijuar një vatër destabiliteti në Shqipëri. Si dhe si një “shkëndijë” që mund të pasojë me një reaksion zinxhir destabiliteti në vendet e rajonit, ku situata është shumë e brishtë, sidomos në Malin e Zi, Bosnje Herzegovinë, Maqedoni e Veriut dhe në Kosovë. Ajo që po themi është se një tensionim situate nga ana e opozitës me protestën e saj përballë kryeministrisë ditën e samitit, të mos shihet thjeshtë si një karshillëk ndaj BE e SHBA nga ana e Berishës e Metës për shpalljen “non grata” apo konsiderimin si të tillë, por si një cënim direkt i sigurisë së një vendi anëtar të NATO-s nga udhëheqës të financuar nga Kremlini.
Eshtë shqetësim i vertetuar ky, pasi janë dhënë provat që Putin ka hedhur gjysmë milioni euro për PD e Berishës, vetëm e vetëm për të rrëzuar qeverinë legjitime në Shqipëri dhe destabilizuar vendin, dhe për pasojë dhe tërë rajonin e trazuar të Ballkanit. I volit shumë dhe Putin, në këtë situatë ku ndodhet, pasi kërkon të kapet dhe pas “fijes së barit”. Dhe interesimi i Putin për rajonin, u nënvizua dhe në takimin e sotëm të ministrave të NATO-s, teksa u nënvizua se “Mesazhi është i qartë: se të gjithë aleatët e NATO-s janë të vetëdijshëm se ‘bisha’ gjithashtu dëshiron të marrë kontrollin e Ballkanit Perëndimor, dhe ne kemi nevojë, në mënyrë praktike, të arritshme. Mbështetje, për të ndihmuar këto vende të mbijetojnë”. Ndaj dhe “perimetri” i sigurisë në Tiranë më 6 dhjetor, për shkak të përqëndrimit të kryetarëve të shteteve të BE e Ballkanit Perëndimor në këtë samit, sipas kërkesës për siguri të lartë, krijon kushtet që të konsiderohet si territor përtej atij shqiptar, një “oaz” i Aleancës më shumë në këtë situatë lufte dhe agresioni rus, që kërkon një mbrojtje po të përforcuar.
Dhe nëse trajtohet në këtë kontekst çdo incident i mundshëm që mund të krijojë opozita e udhëhequr nga Berisha-Meta më 6 dhjetor, ditën e samitit të përbashkët BE-Ballkan Perendimor të mbledhur për të forcuar radhët përballë agresionit rus, jemi krahu lindor i Aleancës ne, mund të konsiderohet si një cënim i sigurisë së NATO-s.
Në mungesë të drejtësisë në Shqipëri, SPAK me sa shohim dhe tregojnë “bathët” ka lindur i “vdekur”, pavarësisht injeksioneve financiare dhe me ekspertë që i kanë dhënë partnerët tanë ndërkombëtarë, jemi me fat që kemi aleatët tanë të mëdhenj. Por jemi me fat dhe sepse kemi nënshkruar disa marrëveshje ekstradimi me SHBA dhe me shumicën e vendeve anëtare të BE. Do të ishte një ndihmë e madhe kjo, sepse më në fund, do të bëhej drejtësi në këtë vend, qoftë dhe në kuadër të Aleancës. Mekanizmat janë janë. Ndaj themi që opozita duhet ta trajtojë me kujdes protestën, të respektojë “perimetrin” e sigurisë të vënë nga organet kompetente të sigurisë, në mënyrë që samiti të përfundojë me sukses dhe pa asnjë vatër tensioni. Ndryshe, jemi vend i NATO-s, dhe liderët e opozitës mund të trajtohen si të “deleguar” të axhendës ruse. Fundi dihet!