Kryeministri Edi Rama ishte sot në Beograd ku është diskutuar në panelin e organizuar nga Qeveria e Norvegjisë, mbi “Mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor” dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit për sigurinë energjitike.
Kryeministri Rama tha se “na duhet të rajonalizojmë tregjet tona e sa i takon energjisë na duhet të shkojmë përtej kufijve tanë pasi në të kundërt ende mbetemi tregje të vogla”.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Ishte një mundësi e shkëlqyer dhe një mbledhje vërtetë e nevojshme në këto kohë lufte, kur bombat e plagët godasin diku në Ukrainë, por ku kriza energjetike plus inflacioni i luftës kanë goditur kudo në Europë, e përtej saj, përfshirë vendet tona.
Nuk kam aspak dyshim, se në këto kohë kaq të vështira, ajo çka kemi thënë më parë kur nisëm Ballkanin e Hapur dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, bëhet gjithmonë e më e dukshme, na duhet të rajonalizojmë tregjet tona dhe sa i takon energjisë, na duhet të shkojmë përtej kufijve tanë pasi në të kundërt, ende mbetemi tregje të vogla. Ajo çfarë na duhet e për të cilën kemi nevojë, nëse trajtohet në mënyrë të izoluar mund të jetë shumë më tepër e kushtueshme dhe jo vetëm kaq.
Besoj po kështu se duke vepruar në nivel rajonal, sa i takon tregut të energjisë, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime dhe po kështu, mund të kemi një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat.
Ishte një ditë vërtetë e rëndësishme kjo e sotmja dhe i jam mirënjohës qeverisë norvegjeze dhe qeverisë serbe këtu që bënë të mundur nisjen e këtij bashkëbisedimi me praktikisht, njerëzit më të mirë dhe strukturat më të mira dhe më me dije në Europë, që janë norvegjezët.
Shpresoj fort që ky bashkëbisedim do të vazhdojë dhe që ne do t’i kemi me vete partnerët dhe miqtë tanë norvegjezë për të mbështetur përpjekjet tona, për të konceptuar një masterplan rajonal dhe një udhërrëfyes investimesh.
Nuk do doja që të merrja më shumë prej kohës së askujt dhe dua ta përmbyll duke falenderuar edhe njëherë organizatorët për këtë mundësi. Pres me padurim po kështu, që ky dialog që nisi tashmë me këmbën e mbarë, të thellohet.