Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë pranuar një plan të ri për dialogun për normalizimin e raporteve.

Siç tha ai, të dyja palët tashmë dorëzuar komentet e tyre për këtë plan. “Me përfaqësuesin tim të posaçëm, Mirosllav Lajçak, kemi punuar shumë për këtë. Pra, para verës ua kemi prezantuar planin të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të kapërcejnë krizat e përhershme në të cilat kemi punuar dhe për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët. Jemi duke i studiuar dhe mendoj se është një shkas i mirë që duhet të shfrytëzohet për të arritur normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Borrell në Gjermani, ku po mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të G7-s.

Shefi i diplomacisë së BE-së po ashtu tha se në ditët në vijim do të analizojnë komentet që kanë marrë nga Prishtina dhe Beogradi dhe se shpreson se ky “do të jetë një përparim dhe hap para në këtë proces”. Borrell po ashtu falënderoi Gjermaninë dhe Francën për mbështetjen në zhvillimin e këtij plani. Ekzistimi i planit franko-gjerman u diskutua në Berlin më 3 nëntor nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Von der Leyen konfirmoi se ky plan tani është i “integruar në procesin e dialogut”. Megjithatë, për planin franko-gjerman nuk ka informacione të shumta. Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, “ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”. Më 8 tetor, Vuçiq tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në BE.

Ai shtoi se Serbia “po poshtërohet edhe më shumë dhe nuk do të detyrohet që ta njohë zyrtarisht Kosovën”, por duke mos reaguar për këtë, sipas tij, do të ishte një pranim i heshtur. Siç tha Vuçiq, kjo është e papranueshme për Serbinë dhe shtoi se ishte e papërgjegjshme dhe joserioze që të refuzohej plani franko-gjerman. Mediat në Kosovë po ashtu kanë raportuar se plani franko-gjerman aktualisht nuk parasheh që Serbia ta njohë Kosovën, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog në Bruksel që nga viti 2011. Kosova kërkon që ky proces të përfundojë me një marrëveshje që do të kishte edhe njohjen reciproke, ndërkaq Serbia synon një “zgjidhje kompromisi”.