Pas deklaratave të ashpra ditën e djeshme të Kryeministrit Rama kundër gjuhës së përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suela Xy, mbi debatin për emigrantët shqiptarë atje, një ministër i kabinetit dhe tani edhe zëdhënësja e Kryeministrit Rishi Sunak kanë ndryshuar gjuhë duke u treguar shume mirënjohës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në një deklaratë zyrtare zëdhënësja e kryeministrit Rishi Sunak ka lavdëruar qeverinë shqiptare për punën dhe bashkëpunimin për të ndalur trafikun njerëzor.
“Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta. Ne duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të trafikut të njerëzve dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën e tyre me ne për këtë”, tha zëdhënësja e kryeministrit Rishi Sunak.
Sekretarja e Brendshme e Britanisë se Madhe, Suella Braverman në një postim në Twitter u shpreh se emigrantët shqiptarë në Britani janë pjesë e grupeve kriminale. Kjo solli edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili i quajti komentet nxitës të ksenofobisë.
“Nuk bëhet fjalë për një person. Bëhet fjalë për klimën që është krijuar dhe ka të bëjë me gjetjen e kokave të turkut dhe fajësimin e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. Nuk është gjë tjetër veçse nxitje e ksenofobisë dhe synim veçimi i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë”, tha Rama.