Ylli Rakipi ka pyetur Belind Këlliçin, kandidat në primaret e PD për Tiranën, se ç’do të bëjë me “baballarët” në hije, pra Metën dhe Berishën, në rast se ai fiton.

I ftuar në emsionin “Të Paekspozuarit”, Këlliçi tha se në rast se fiton primaret dhe më pas mund Veliajn, kryetar do të jetë ai dhe askush tjetër nuk do të ketë influencë në vendimarrje, përveç qytetarëve.

Ylli Rakipi: E zëmë se fitove ti. Dy “baballarët”, Sali Berisha dhe Ilir Meta, shumë njerëz mendojnë se këta të dy, do të jenë kryetarët e Bashkisë në hije. Ti çfarë ju thua qytetarëve?

Belind Këlliçi: Pronarë të Tiranës do të jenë qytetarët. Unë kam një fytyrë, si kur vij këtu, si kur dal në rrugë, si kur shkoj para familjes time, si kur shkoj te ata njerëz që më njohin të gjithë jetën. Nëse zgjidhet Belind Këlliçi, kryetar i Bashkisë së Tiranës do të jetë Belind Këlliçi.

Ylli Rakipi: Si do bësh ti, sikur Berisha apo Meta, apo Shkëlzeni vjen edhe thotë dua këtë pallat? Siç ndahen gjërat këtu, kullat… Ti si do të bësh në këto raste?

Belind Këlliçi: Jam i vendosur, të mos lejoj asnjë ndërtim asnjë metër katror, as në park, as në toka shtetërore, apo edhe lulishtet për ti kthyer në pallate. Është vendim i imi i prerë.

Ylli Rakipi: PD thotë se Tirana i është ndarë 4-5 të pasurve, oligarkëve. Kush janë oligarkët në Shqipëri?

Belind Këlliçi: Je shumë cinik në pyetje. Je shumë jashtë realitetit.

Të sfidoj të më gjesh mua lidhje me një oligark. Unë nuk flas me gjuhën e vjetër dhe nuk vë gjoba. Nuk jam kundër biznesit të ndershëm.

Ylli Rakipi: Ç’lidhje ka kjo me gjobat? Unë po të pyes kush janë oligarkët. Ti nuk paske ndryshim nga Veliaj. Ndryshoni vetëm në fytyrë.

Belind Këlliçi: Fyerje më të rëndë se kjo nuk ka.

Ylli Rakipi: Unë të kërkova emra oligarkësh. Ti ishe në dasmën e tjetrit, ulur me oligarkun në tavolinë.

Belind Këlliçi: Unë kam qenë në dasmën e shokut të forumit dhe kam qenë me gjashtë vetë të forumit.

Ylli Rakipi: Kush janë oliagrkët? Ju bërtisni për oliagrket.

Belind Këlliçi: Unë nuk ju vë gjoba oligarkëve. Kjo është praktikë gjobash.

Ylli Rakipi: Jo dasma e forumit, por dasma e Shkëlzenit. Po flas që rrije me oligarkun.

Belind Këlliçi: Unë nuk ju vë gjoba oligarkëve.

Ylli Rakipi: Ti ke qenë aty me oligarkë, të lani dhe të lyeni. Si qenka pyetje cinike kur unë pyes kush janë oligarkët? Nuk thua asnjë emër. Do të bëhesh ti kryetar Bashkie nesër?!