Pjesëmarrësit e “Civil Society & Think Tank Forum 2022” që po zhvillon punimet në Berlin nën kujdesin e Institutit ASPEN në Gjermani janë duke diskutuar mbi tema kryesore që lidhen me zhvillimet aktuale në rang global apo në Ballkanin Perëndimor. Ky forum zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit. Të martën, 01.11.2022, punimeve të ditës së parë të Forumit i parapriu një adresim me video-mesazh edhe Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila përsëriti angazhimin e vendit të saj ndaj Procesit të Berlinit, duke nënvizuar rëndësinë e një dialogu të forcuar dhe të vazhdueshëm brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe BE-së.
Një panel i veçantë i Forumit iu dedikua çrregullimit të informacionit në Ballkanin Perëndimor dhe edukimit për median dhe informacionin. Në diskutim u ftuan të merrnin pjesë Znj. Tijana Cvjetićanin, kryeredaktore e Raskrinkavanje; Znj. Jasna Jelišić, shefe e Task Forcës për Ballkanin Perëndimor, Komunikimet Strategjike dhe Analiza e Informacionit në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm – EEAS; Znj. Adelheid Feilcke, Drejtoreshë e Programeve për Evropën në DW Deutsche Welle; Znj. Armela Krasniqi, kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Z. Zoran Trajçevski, Drejtor i Agjencisë për Media Audio dhe Audiovizive.
Gjatë punimeve të këtij paneli, Znj. Krasniqi përmendi rastin kur në krye të ATSH-së ndërmori nismën që njihet si Deklarata e Tiranës, që u nënshkrua nga 13 agjenci lajmesh nga Evropa Juglindore dhe më gjerë. Një deklaratë e përbashkët kjo në 2018 për nevojën e koordinimit mes këtyre agjensive për vërtetësinë e lajmeve, që nga pjesëmarrësit e Forumit u përshkrua si “veprim pioner” në luftën kundër çrregullimit informativ. Ajo përmendi dhe trajtimin nga AMA të përmbajtjeve audiovizive të papërshtatshme mbi zhvillimet në Ukrainë, apo për qëndrime antisemite. “Jetojmë në kohët kur propaganda, manipulimi i informacionit, dezinformimi kanë arritur një tjetër standard- me tipare dhe karakteristika specifike, ku kryqëzohen interesa të shumta me natyrë politike, ekonomike, sociale etj.”, tha kryetarja e AMA-s.
Një tjetër panel u fokusua te “agjenda e gjelbërt”, si shkëmbim mendimesh mes ekspertëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, mbi tranzicionin e energjisë dhe siguria e saj në kohë krize, ku u prezantuan dhe një sërë rekomandimesh nga grupi i punës me përfaqësues nga agjenci e institucione prestigjoze. Ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor, ishte një fokus tjetër i diskutimit, ku pati paraqitje dhe nga përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile në Shqipëri. Seanca e fundit e ditës së parë të Forumit iu dedikua “Përballjes me të kaluarën dhe përpjekjeve për pajtim në Ballkanin Perëndimor”.
Punimet dyditore të “Civil Society & Think Tank Forum 2022”, po i paraprijnë samitit të liderëve kryesorë politikë që pritet të mbahet këtë të enjte në Berlin.