Video që ka shokuar opinionin publik prej ditës së djeshme ku punonjësja e rezidencës së të moshuarve godiste disa herë një grua, ka zënë vend kryesor edhe në mediat ndërkombëtare.
Daily Mail ka publikuar videon duke e shoqëruar me titullin “Momenti tronditës një grua e moshuar në shtëpinë e kujdesit në Kosovë goditet vazhdimisht nga infermierja”.
Pjesë nga shkrimi
Ky është momenti tronditës kur një e moshuar në një shtëpi të kujdesit në Kosovë është goditur vazhdimisht me shuplakë nga një infermiere.
Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, punëtorja në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban gruan nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.
Në video shihen edhe dy gra të tjera dhe një tjetër po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia i saj sulmon gruan e moshuar.
E moshuara duket se është në gjendje të rëndë, pasi është sulmuar nga punonjësi.
Pas ngjarjes, infermierja dhe një punonjëse e shtëpisë u arrestuan. Punonjësja e shtëpisë u arrestua pasi nuk e kishte raportuar sulmin në polici.
Në një deklaratë, Policia e Kosovës tha se në bazë të regjistrimit që qarkullon në rrjetet sociale, zyrtarët kanë identifikuar lokacionin rreth orës 14:10 të ditës së djeshme dhe kanë arrestuar dy të dyshuar.
Ata thanë: “Të dyshuarit janë duke u intervistuar nga hetuesit e stacionit policor në Pejë dhe veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit”.
Duke reaguar ndaj incidentit, Xhelal Svecla, ministri i Brendshëm i Kosovës, tha se veprimet janë edhe më të rënda kur ato ndodhin në një mjedis që duhet të ofrojë ndihmë dhe kujdes.