Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në konferencën pas mbledhjes së qeverisë është pyetur në lidhje me deklaratat e bëra ditën e djeshme ng ambasadorja amerikane, Yuri Kim në lidhje me kreun e ri të SPAK.
Peleshi u shpreh se qeveria mbështet reformën në drejtësi dhe janë në krahun e përsosjes së saj.
“Reforma në Drejtësi nuk ka mbaruar, nuk është një punë që kryhet një herë e mirë, është punë dinamike. Ka gjithmonë sfida dhe problematika për ta përballur. Siç ishim të vendosur të pa filluar këtë Reformë, do të vazhdojmë ta mbështesim.
Çdo ngjarje e pakëndshme apo vëmendje e shtuar për ta imunizuar nga ndikime apo deformime të procesit e shqetëson qeverinë shqiptare dhe ne jemi në krahun e përsosjes së Reformës në Drejtësi, plotësimit të institucioneve me persona me integritet të lartë”, tha Peleshi.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim tha se kreu i ri i SPAK duhet të zgjidhet në bazë të historikut dhe kualifikimeve, ndërsa bëri thirrje që procesi të mos ndikohet nga “ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë”.
Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, Kim tha se kreu i ri i SPAK duhet të jetë i aftë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.