Moderatojra Oriela Nebiaj do të futet në Parlament. E pyetur nga gazeta “Panorama”, ajo ka konfirmuar se do të pranojë mandatin e deputetes. Ajo do të zëvendësoj kështu në listën e PD në Tiranë, Grida Dumën, që lajmëroi dje dorëheqjen.

Nebiaj kandidoi më 25 prill në qarkun e Tiranës, ku mori 5606 vota preferenciale. Nebiaj ishte renditur e 18 në listën e PD-së në qarkun e Tiranës, por pas rirenditjes në bazë të votave preferenciale ajo u ngjit një vend më sipër.

Megjithatë, para saj në radhë ishte Petrit Doda, por me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, mandatin e ligjvënësit që lë një grua e merr po një grua. Pas aktit të znj. Duma, pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve në Kuvend për të shpallur vakancën. Vakanca i dërgohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili brenda 48 orëve bën zëvendësimin. Ndërkohë, sot pritet që të depozitojë dorëheqjen edhe Alfred Rushaj.

Duma lë mandatin: Nuk zgjodha komoditetin tim

Grida Duma, ish-nënkryetare e Partisë Demokratike, nuk do të jetë më përfaqësuesja e demokratëve të Qarkut të Tiranës në Parlament.

Në një dalje të posaçme në prani të kolegëve të saj të ngushtë, Flutura Açka e Agron Gjekmarkaj, Duma lajmëroi publikisht se kishte dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit lënien e mandatit.

Vendimin siç tha e kishte marrë pas një reflektimi të thellë. “Pak çaste më parë, kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, reflektim i cili vjen pas një përpjekje edhe më të gjatë, për të bërë të duhurën për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është në fakt vendimi i duhur. Unë mendoj që në politikë, fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe të rimendohen vetëm kur ato shkojnë në një kahje me fatet e vendit, me fatet e njerëzve, me fatet e votuesve që ne përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse e kanë bërë shpesh të kundërtën”, tha Duma.

Ndërkohë, ajo u ndal të sqaronte se nuk po u shmangej përgjegjësive me vendimin që mori pas përpjekjeve për të mbajtur PD afër me partnerët strategjikë si SHBA dhe pas përpjekjeve për bashkimin e demokratëve. “E megjithatë, nuk e kam lënë, nuk e kemi lënë betejën me miq e kolegë të vyer, me bashkëpunëtorë me demokratë edhe kur kemi vijuar fushatat pa mjete pa infrastrukturë, atëherë kur vendimet e gabuara të lidershipit nga lënia e mandateve të lënia e bashkisë e lodhën e gërryen forcën madhore të PD. U quajt besnikëri dhe luajalitet kjo atëherë që mbështetëm atë që vetë nuk e aprovova, që qëndruam me luajalitet atë që disa kolegë nuk e deshën nuk e votuan e megjithatë, i qëndruam me luajalitet vendimit të shumicës, që u thirr oborreve.

Para dhe pas 6 marsit të vitit 2022, në situatën më të vështirë kam bërë sa munda që PD të kishte përkrah saj aleatin më të madh në gjenezën e vet, në historinë e vet, aleatin strategjik, SHBA, vijoj të mendoj që duhet ta ketë aty përkrah, sepse është partia që i takon. Ashtu siç kam ditur që pas 6 marsit të 2022, të bëj gjithçka, madje duke dhënë dorëheqjen për të vlerësuar, solidaritetin dhe njohjen njerëzore që demokratët treguan për të vlerësuar liderin e tyre historik, në një mënyrë apo tjetër, duke ndjekur dinjitetin njerëzor më tepër sesa pazaret politike, apo ndoshta dhe pragmatizmat politikë, dita ta njoh edhe këtë realitet. Gjatë këtyre kohëve, ajo që vijoi ishte një përpjekje e madhe e imja dhe disa kolegëve për të mbajtur balancat, për të treguar të vërtetat, për të qetësuar konfliktet, për të arsyetuar politikisht, për të mirën e demokratëve dhe pastaj shqiptarëve”, tha Duma.

PENGU ME POLITIKËN

Ndonëse asnjëherë nuk e kishte shfaqur se ishte lënduar. Për herë të parë dje, Grida Duma tregoi pengun që kishte me politikën. “Më kanë goditur personalisht edhe unë e di pse, sepse nuk gjetën dot në kaq e kaq vite një aferë korrupsioni, një pazar pushteti, një ndyrje duarsh në përfitime dhe pikërisht sepse nuk i gjetën jam sulmuar nga hienat me intriga të pacipa që të më brejnë personalisht. Ndoshta për vete e kam ditur që do ta paguaj këtë kosto në një vend si i yni kaq larg zhvillimit etik, por sot do t’ju them një gjë që shpesh e kam evituar ta them në media. Sot do t’ju them që ka një gjë që nuk do t’ia fal kurrë politikës së llumit. Që ndoshta do të jetë pengu i ditës sime të fundit të jetës, ky peng është fakti që goditja që më bënin mua nën brez, godiste pandërprerë më thellë, më shumë shpirtërisht, tim bir. Nuk e kam falur kurrë, nuk do t’ia fal kurrë, as do t’ia harroj këtë politikës së llumit”, tha ajo teksa përfundoi se do mbetet e djathtë. “Do ta lë këtë mandat me besimin që siç kam bërë brenda politikës do di të bëj kudo që të jem si figurë politike me shpresën e Zotit. Jam e djathtë se u rrita si e djathë pa etiketime, ky është identikiti i personalitetit tim. Sepse besoj tek individët e fortë, tek ata që konkurrojnë si motor zhvillimi. Jam e djathtë sepse do di të prodhoj prapë aq sa mundem, ndoshta dhe thjeshtësisht me ndërgjegjësim”, u shpreh Duma.