Kryeministri Edi Rama iu rikthye debatit të lindur në Britaninë e Madhe për emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve. Gjatë një takimi me banorë të Tropojës Rama theksoi se jetojmë në një botë të lirë dhe jo në bunkerin e komunizmit që të detyrojmë njerëzit të rrinë këtu.
Duke cituar një gazetare të famshme britanike, shefi i qeverisë tha se shqiptarët sot po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në krye të herës, ose atë që kanë bërë dhe vetë britanikët kur kanë qenë më pak të pasur dhe që është emigrimi.
“Më bëri shumë përshtypje artikulli i një gazetareje të famshme britanike që shkruante në lidhje me debatin e hapur në Britani pas ndërhyrjes time në atë debat, dhe thoshte që vetëm vendet diktatoriale vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur apo për të ardhur. Shqiptarët thoshte sot po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj.
Shqiptarët po bëjnë atë që ne kur kemi qenë më pak të pasur e kemi bërë shumë më tepër se këta në një kohë tjetër.
Po bëjnë atë që sot e bëjnë qytetarët e këtij vendi që jetojnë në zona të vështira, pasi ka dhe aty zona të vështira dhe njerëz që largohen për në Londër.
Është e pamundur dhe nuk është e drejtë për t’i thënë njerëzve rrini këtu mos ikni. Njerëzit janë të drejtën e tyre për të marrë vendimet pasi nuk jemi në bunkerin e komunizmit”, tha Rama.