Nga vizita e tij në Dibër, kryeministri Edi Rama bëri viral me anë të një postimi në rrjetet sociale, lëngun e thanës të përgatitur nga nënë Dashuria. Sot në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Dashuri Zerja, përveçse ka dërguar një shishe me lëngun e thanës për programin, realizoi edhe një intervistë të shkurtër. Ajo tregoi se ishte hera e tretë që gatuante për kryeministrin, ndonëse gjithmonë me shumë emocion.

Katerina Trungu: Si ishte takimi me kryeministrin, ishte hera e parë që vinte aty të konsumonte gjëra të mira nga ju?

Dashuri Zerja: Jo, në fakt kryeministri është radha e tretë që vjen në bujtinën time dhe unë kam shumë kënaqësi që gatuaj për kryeministrin dhe sigurisht edhe emocion, jo vetëm kënaqësi.

Katerina Trungu: A është ankuar ndonjëherë për ndonjë recetë apo gjithmonë ia ke qëlluar në shenjë, ia ke gjetur shijen si duhet?

Dashuri Zerja: Gjithmonë ka dalë i kënaqur, por tani nuk jemi edhe aq perfektë.

Zonja Vjollca i bëri edhe një ftesë publike nënë Dashurisë për të gatuar një ditë në program, të cilën ajo e pranoi me kënaqësi. Mes të tjerash, përshkroi edhe kryeministrin në sytë e saj.

Katerina Trungu: Ne donim të dinim edhe një gjë të fundit, si ka qenë herë pas here, pra hera e tretë që ju e takoni kryeministrin, si ka qenë të takosh atë, t’i shërbesh atij? Më the kishe emocione, por ai si është sjellë në raport me ju?

Dashuri Zerja: Pavarësisht profesionit që ai zotëron, ai është një njeri i thjeshtë.

Katerina Trungu: Dhe detyrës që ka.

Dashuri Zerja: Po, dhe detyrës që ka, është njeri i thjeshtë si të gjithë ne. Ai futet në hallet e njerëzve, merr mësim prej tij dhe me pak fjalë, mund të them që është njeri i thjeshtë. Të gjithë ata që kanë pasur rast ta takojnë nga afër, si gjithë të tjerët.