Lideri i Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, bën thirrje për më shumë solidaritet evropian në akomodimin e refugjatëve ukrainas.

”Nëse më shumë ukrainas detyrohen të ikin gjatë dimrit për shkak të bombardimeve dhe sulmeve ruse, atëherë Evropa Perëndimore duhet të marrë më shumë përgjegjësi”, tha Weber për gazetën gjermane ”Bild am Sonntag”.

”Kjo është një sfidë e paprecedentë që duhet përballur me më shumë solidaritet”, citohet të ketë thënë politikani gjerman.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, rreth 7,9 milionë ukrainas kanë kërkuar mbrojtje jashtë vendit për shkak të luftës.

Nga këto, pak më shumë se një milion ishin regjistruar në Gjermani, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane.

”Franca (rreth 119 000), Italia (rreth 173 000) dhe Spanja (rreth 154 000) kanë regjistruar dukshëm më pak refugjatë”, sipas UNHCR-së.

Polonia më në lindje ka marrë më së shumti, me më shumë se 1,5 milionë ukrainas.

Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson i tha së njëjtës gazetë se “shtetet anëtare që kanë ende kapacitete po rrisin qartë përpjekjet e tyre për të ndihmuar vendet anëtare që janë nën kapacitet”.

Sulmet ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës kanë sjellë frikë serioze për një dimër pa ngrohje apo energji elektrike.