“Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë kthyer në sport politikën e përçarjes”. I këtij mendimi është kryebashkiaku Erion Veliaj i cili gjatë diskutimit të buxhetit në Njësinë Numër 9, u shpreh se ata e përdorin Tiranën si vendin ku hedhin helmin e radhës.
“Sot kemi drejtues politikë të opozitës, njerëz që nuk shkojnë dot deri në Rinas, se po të ka bërë “non grata” Amerika, Anglia dhe Bashkimi Europian, nuk shkon dot deri në Rinas. Ata e kanë kthyer në sport përçarjen tonë. Çohen të dy në mëngjes te Gjiri i Lalzit, fusin këmbët në pishinë, u vjen shërbëtorja, u sjell kafen dhe i thonë njëri-tjetrit: ‘- Çfarë do të bëjmë sot, Ilir? – Sot Sali, do të bëjmë atë që kemi bërë përherë në 30 vjet, do shkojmë të helmojmë Tiranën, të mbjellim sherrin tonë, dhe teksa njerëzit diskutojnë për sherrin tonë, të organizojmë edhe një rrëmujë nëpër Tiranë, të themi edhe një helm të fundit, para se të mbyllen lajmet në televizor, dhe pastaj kthehemi prapë në Gjirin e Lalzit’. Këta e kanë sport këtë. Por, di t’ju them se, sa e kanë ata sport të na përçajnë, aq shumë e kemi ne pasion që të bashkojmë dhe të punojmë me dashuri.”
Për Veliaj, Tirana sot është në ditën e saj më të mirë.
“Jam më i bindur sot se kurrë që, Tirana është në ditën e vet më të mirë. Për të gjithë ata që thonë se nuk jetohet në Tiranë, sidomos kur dëgjon Saliun dhe Ilirin me vila këtu, me vila atje, [në Lalz], me salltanete, për sa kohë që ky qyteti ‘i tmerrshëm’ ku nuk jetohet i ka bërë edhe presidentë, edhe kryeministra – kur funksionon për ta është qytet i mirë, kur nuk funksionon për ta, qenka qytet i keq! Nëse ky qytet do të ishte kaq ‘i tmerrshëm’, pse u vendos që për herë të parë të gjithë krerët e shteteve të Bashkimit Europian të vijnë në datën 6 dhjetor në Tiranë?! Se po të ishte ‘i tmerrshëm’, do ishin takuar në një qytet tjetër. Si ka mundësi që dy vite rresht Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe pastaj i Sportit.
Veliaj foli edhe për disa prej projekteve transformuese.
“Ne duam që të ndërtojmë një Muze të Artit Modern në Bulevardin i Ri. … Po ashtu, duam të ndërtojmë një qendër për konventat dhe konferencat sepse Pallati i Kongreseve nuk i përballon dot aktivitetet e shumta në Tiranë. Në Bulevardin e Ri duam të transferojmë edhe disa nga gjykatat, …“Përveç vazhdimit të Unazës së Madhe, ne do të hapim dy terminalet: terminali i parë, ai në Lundër është gati, do të çlirojë Qytetin Studenti, kurse stacioni i përkohshëm i autbusëve do të shkojë te stacioni i përhershëm atje.”
Më herët, Veliaj pati dhe një takim me të rinjtë e kësaj njësie, ku theksin e vuri tek përfshirja e tyre jo vetëm në politikë, por edhe në vendimarrje.