Nga Mero Baze/

Ka një dëshpërim që u lexohet në çdo fjalë mbështetësve të “Foltores”, rreth pamundësisë për të rrëzuar pushtetin me protesta. Nuk di pse janë të dëshpëruar, pasi askush, as organizatorët, nuk kanë thënë që do ta rrëzojnë pushtetin me protesta, përveç Edi Palokës, që nuk mban përgjegjësi se çfarë thotë. Por me sa duket ndonjëherë ata besojnë dhe atë.

Por ajo që më duket më e dhimbshme, është se shumë prej tyre, kthehen pas në kohë dhe marrin si shembull të dhunës 21 janarin. Dhe tani e marrin si shembull pozitiv dhunën e opozitës së atëhershme.

Mes tyre shquan Fatos Lubonja. Në përsiatjet e tij të dëshpëruara pas protestës së djeshme, ai filloi t’i referohej 21 janarit, si model se si opozita duhet të bëjë një protestë të dhunshme.

E vërteta është se 21 janari ka qenë një demonstratë e dhunshme, por një dhunë që vinte nga agresiviteti i turmës, jo një dhunë me objektiv politik. Pasi u ishin vjedhur votat dhe pasi një pjesë e votave të majta ishte devijuar drejt Berishës, ata kishin parë në ekran Ilir Metën që ngjyente me pështymë gishtin sikur do numëronte paratë, e numëronte milionat në bllokun e tij, duke i kërkuar llogari Dritan Priftit që nuk kishte realizuar planin. Dhe ishin revoltuar.

Askush nuk kishte objektiv përmes dhunës. Dhe as që u arrit gjë prej saj. E vetmja dhunë efikase më 21 janar, ishte dhuna e plumbave të Sali Berishës mbi demonstruesit që vrau, katër vetë, dhe plagosi 36 të tjerë. Përtej kësaj, opozita nuk fitoi asgjë më 21 janar, përveçse iu vranë katër qytetarë të paarmatosur dhe të pafajshëm.

Por ajo që është interesante tek Fatos Lubonja, është se ky njeri tani e adhuron 21 janarin në çdo orë të tij. Deri më dje e adhuronte për atë që bëri qeveria më 21 janar, e konkretisht Sali Berisha. Qysh atë ditë e më pas, ai ka mbrojtur atë që ka bërë Berisha më 21 janar, ka justifikuar vrasjet dhe ka fyer protestën e qytetarëve. Madje ka qenë aq i përfshirë me urrejtje kundër protestuesve dhe organizatorëve të protestave, sa ka qenë dhe i informuar nga shërbimet sekrete të qeverisë dhe për telefonatat e gazetarëve, për të cilët ai mendonte njësoj si Sali Berisha, që ishin puçistë.

Ka pas një eksitim të jashtëzakonshëm të tij kur qeveria vrau, që ja shtypi kokën atyre që protestuan dhe që më në fund ata ikin me bisht në shalë në shtëpi.

Tani ka filluar dhe adhuron pjesën tjetër të 21 janarit, atë që sipas tij bëri opozita më 21 janar, që ushtroi dhunë, që i tregoi dhëmbët qeverisë. Në fakt, opozita nuk bëri asgjë, përveçse protestë, si këto që bën Saliu, por Edi Rama nuk po bën atë që ka pas bërë Saliu, që t’i vrasë.

Megjithatë Lubonja tani duket i eksituar nga ajo që ai e quan dhuna e opozitës më 21 janar dhe është duke i kërkuar llogari opozitës së sotme pse nuk ushtron dhunë si ish- opozita më 21 janar.

Tani ky njeri është tërësisht i kompletuar. Me adhurimin që ka pas për atë që ka bërë Berisha më 21 janar dhe me adhurimin që ka tani me atë që ka pas bërë Edi Rama më 21 janar, ky njeri është i kompletuar tërësisht si njeri që ka adhuruar çdo sekondë të 21 janarit dhe të dy palët njëkohesisht.

D.m.th., ka adhuruar ata malësorët që përdorën bishtat e çadrave dhe hunjtë kundër policëve, pastaj ka adhuruar ata gardistët që dolën tek kangjellat dhe vranë protestuesit, ka adhuruar Berishën në mbrëmje kur doli e shpalli që vrasjet ishin bërë nga Edi Rama, pastaj ka adhuruar Berishën që thoshte është grusht shteti, por paska adhuruar dhe Edi Ramën që pat thënë se ishte shpërthim i zemërimit popullor, madje do ketë adhuruar dhe Tom Doshin, që ka thënë se kur zbresin malësorët në qytet, do e bëjnë një sherr.

Nuk besoj se ka të dytë në këtë vend, që të adhurojë një histori të rëndë si ajo e 21 janarit, që përfundoi me katër vrasje politike nga Sali Berisha, përveç dikujt që është i sëmurë dhe ndjen kënaqësi vetëm nga gjaku. Akoma më keq të kesh adhurim dhe për vrasësit, dhe për të vrarët, në kohë të ndryshme, vetëm për një shkak: vetëm se urren Edi Ramën, i cili as u vra më 21 janar dhe as vrau më 12 nëntor.

Edi Rama duhet ta bënte një prej këtyre të dyve, të paktën të fitonte Fatos Lubonjën: Të ishte ose vrasës, ose i vrarë!