Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në hedhjen e shortit për apartamentet e reja në Shijak, ku brenda nëntorit do të akomodohen edhe 637 familje të tjera përfituese nga programi i Rindërtimit.

Deri tani në këtë bashki janë strehuar në shtëpi të reja 802 familje. Ndërkohë që ka përfunduar rikonstruksioni i 27 pallateve të nivelit të dëmit DS 1/2/3.

Kryeministri inspektoi po ashtu edhe lagjen “Lugina”, ku deri në fund të këtij viti mbyllet përfundimisht procesi i rindërtimit në këtë bashki së bashku me infrastrukturën rrugore, hapësirat e gjelbra dhe këndet e argëtimit.

Gjithashtu Kryeministri vizitoi dhe Kopshtin Nr. 2, një godinë e rindërtuar nga e para, me kushte shumë të mira në shërbim të fëmijëve të komunitetit sipas standardeve të BE.

Procesi i Rindërtimit është finalizuar me sukses në bashkinë e Shijakut, duke u bërë kështu bashkia shembull në të gjithë vendin që e mbyll përfundimisht plagën e tërmetit, duke siguruar strehim në kushte dinjitoze për të gjitha familjet që humbën shtëpinë natën e 26 nëntorit 2019.

Me këtë finalizim merr fund dhe bonusi i qirasë që jepej nga kjo bashki për familjet e prekura.