Kompleksi sportiv Dajti në kryeqytet do të rehabilitohet. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar pamjet e projektit se si do të duket ky kompleks pas investimit që do të nisë shumë shpejt nga Bashkia e Tiranës.
“Kompleksi Dajti është te njësia 7, shumë pranë Universitetit të Sporteve, një hapësirë për të cilën u tha jo po do e bëjnë pallat, jo po do shkojë në Paskuqan. Janë muhabetet e tallagjarëve që nuk na i kursen asnjë prej këtyre projekteve.
Ne vendosim rehabilitimin e atyre terreneve dhe i japim atij komuniteti një fushë të standardeve evropiane. Ne duam të rregullojmë tribunën dhe dhomat e zhveshjeve dhe kur doli histeria nga këto portalet “Jeta osh qejf, jeta është gallatë”, thanë ‘jo po do i marrin, jo i nxorën bizneset’. Ato biznese ishin futur nën shkallë si te stadiumi “Qemal Stafa”, duke shitur materiale ndërtimi, duke ndërruar vaj makinash. Duam t’ía kthejmë komunitetit. Sot nuk kemi më një bashki e vobektë, por një bashki që do të investojë ta kthejë në funksionin e saj primar, që është sporti, dhe na shkon për faktin se Tirana është Qyteti Europian i Sportit 2023”, tha Veliaj pak ditë më parë.