Ndeshja e Kategorisë së Dytë, Devolli-Labëria, e zhvilluar këtë të diel është shoqëruar me incidente të shumta. Anulim golash, kartonë të kuq dhe humbja e një penalltie nga labët ka shkaktuar trazira në lojë dhe stadium.

Një gol i anuluar nga anësori për Devollin si pozicion jashtë loje ka shkaktuar reagimin e tifozerisë, të cilët kanë goditur me mjete të forta anësorin, sipas pretendimit të tij çka ka shkaktuar ndërprerje të ndeshjes për disa minuta. Më pas, arbitri është bindur sërish për të vazhduar lojën.

Pas një ndërhyrje të gabuar të mbrojtjes së Devollit, labët kanë fituar një 11-metërsh, i cili nuk ka arritur të përfundojë në rrjetë, në këtë moment lojtari që ka gjuajtur penalltinë ka goditur me shqelm një lojtar të Devollit, i cili reagoi ndaj humbjes së penalltisë.

Në fushë gjatë trazirave është futur edhe një tifoz i devollit. Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se pas përfundimit të ndeshjes ka shoqëruar në komisariat 3 tifozë.