Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Sekretaren për Kordinimin Blerina Gjylameti dhe Sekretarin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore Eridian Salianji zhvilluan një takim me me përfaqësuesit e ODIHR-it Alexey Gromov dhe Kakha Inaishvili.
Dy zyrtarët e lartë të ODIHR ndodhen në Shqipëri në kuadër të Misionit të Vlerësimit të Nevojave në prag të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.
Gjiknuri, i cili është njëherësh dhe bashkëkryetar i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, u shprehu përfaqësuesve të ODIHR besimin e tij të plotë se zgjedhjet e ardhshme lokale do të zhvillohen në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
“Ofrova gadishmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar në një klimë sa më të qetë politike përpara, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Gjithashtu i garantova bashkëbiseduesit se edhe në kuadër të reformës zgjedhore, PS mbetet e angazhuar maksimalisht për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Thelbësore mbetet nevoja që të gjitha forcat politike të shprehin besim tek procesi dhe të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve si një shenjë pjekurie politike”, theksoi Gjiknuri.