Mero Baze

Pak më shumë se dhjetë vite më parë, kur fillova të drejtoj një emision të përditshëm politik në Vizion Plus, e vetmja gjë që nuk ndryshoi nga dita e parë e emisionit, deri sa Berisha detyroi pronarët me dhunë financiare ta mbyllin, ishte fakti që Partia Demokratike dhe qeveria e Sali Berishës ndaloi çdo njeri të saj, qoftë deputet, politikan, madje dhe roje godine, të vinte në emision. Arsyetimi ishte se unë isha gazetar kritik me Berishën.

Prej vitit 1990, nuk kam punuar në ndonjë punë shteti, kam qenë gjithë jetën gazetar me qëndrime të qarta, por në punën time.

Mjaftonte që unë isha në atë kohë kritik me Sali Berishën, që jo vetëm të urdhëronte bojkot, duke frikësuar çdokënd që kishte dilema të vinte apo jo, por dhe të përdorte marioneta si Agim Nesho, për shantazh ndaj pronarëve të televizionit, herë duke i joshur me përralla financiare, e herë duke i shantazhuar me gjoba, derisa u detyruan të mbyllin emisionin. Dhe natyrisht mirë që e mbyllën, se s’do shkatërronin biznesin për tekat e Sali Berishës.Madje prej atëhere atyre pronarëve u ka ngel traumë frika nga Berisha dhe tani e ftojnë në televizion sikur bëjnë autokritikë.

Çdo gazetar tjetër në treg detyrohej t’i bënte një koncesion përmes pronarëve të TV, apo vet Sali Berishës, që ai t’i pranonte, t’u shkonte në emision apo të lejonte të tjerë të shkonin. Ky është standardi i lirisë së shtypit të tij, në “dhëndërinë” e tij të dytë.

Tani vijmë tek “regjimi” i Edi Ramës.

Kemi 8 njerëz të afërt të Sali Berishës, zëdhënës zyrtarë të tij, njerëz të administratës dhe familjes së tij, që drejtojnë emisione televizive në disa televizione kombëtare, përfshi dhe atë publik.

Janë katër zëdhënës zyrtarë të tij, një tjetër anëtar Këshilli Kombëtar që drejton emision me shaka, një kandidate për deputete, nusja e djalit dhe së fundmi Grida Duma, që drejtojnë emisione televizive.

Tre prej tyre në Top Channel, televizionin që ai e masakroi me gjoba dhe pronarin që nuk e linte të qetë as ditën që vdiq, duke terrorizuar gjithë dynjanë për të treguar se me kë vdiq në makinë. Gati gati dukej sikur ai kishte vrarë një vajzë dhe ishte fshehur diku, e jo sikur po përcillej në varr.

Një prej zëdhënëseve të PD drejton emision në RTSH dhe është e qetë fatmirësisht në atë vend pune, sa edhe sikur PD ta kishte pushtetin, nuk do diskutonte për tema aq të hollësishme të PD, si p.sh “Si po shkon puna në sektorin e organizimit” apo “Si i kemi punët me “bashkimin”.

Të tjerët po ashtu mbushin studiot televizive si drejtues emisionesh. Nuk po flas këtu pastaj për gjithfarë gaztorësh apo zyrtarësh të PD, që janë prezent nëpër ekrane.

Nuk kam asgjë kundër tyre. Sidomos kundër këtyre që drejtojnë emisione, pasi punë bëjnë.

Por nëse do të krahasosh standardin e lirisë së shtypit mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, mjafton vetëm ky fakt. Mjafton të krahasosh se si Sali Berisha kishte vetëm një emision kritik kundër tij të përditshëm dhe jo vetëm që ushtroi terror psikologjik dhe politik mbi njerëzit e vet që të mos shkonin në emision, por derisa e mbylli nuk gjente dot rehat. Dhe falë atij shërbimi, sot e ka aleat Agim Neshon.

Ndërkohë “regjimi” i Edi Ramës jo vetëm që i punëson zëdhënësit e tij, por i shkon secilit derë më derë edhe vet, madje dhe tek televizioni i Shkëlzenit, për t’i respektuar. Nuk di a do t’i shkojë dhe Gridës, por me siguri nëse ajo heq dorë nga të qenit “Nora e Kelmendit” mund të shkojë pa frikë, se nuk e vret. Ne fund te fundit nuk është ky pashai, por ai që i lexonte Eseninin

Mjafton të krahasosh urrejtjen e tij çnjerëzore ndaj Dritan Hoxhës ditën e vdekjes dhe faktin që nusja e djalit të Berishës, e cila njihet vetëm si shitëse brekësh të shtrenjta, shfaqet në ekranin e ndërtuar nga Dritan Hoxha, kupton se si ndahen dy botë në shoqërinë shqiptare.

Një lugat i ndyrë që zhvarros dhe të vdekurit nga urrejtja dhe një gjeneratë tjetër që i punëson atij dhe nusen e djalit dhe gjithë hordhinë e tij mediatike.

Po kaq problem ka qenë dhe debati publik në kohën e tij. Mbaj mend në vjeshtë të vitit 2010, studentët e gazetarisë më ftuan për një leksion të hapur. Ishin një bërthamë studentësh që donin të debatonin. Dhe unë e mora lehtë.

Kur shkova tek Fakulteti, në mbasdite, dera ishte kyçur. Artan Fuga, shefi i katedres, “intelektuali mendjehapur”, siç e mbajnë, kishte kyçur derën si “Kujdestari” i filmit të famshëm të realizmit socialist.

Pastaj disa studentë rebelë thyen derën dhe hapën një auditor, i cili u tejmbush jo aq nga xhevahiret që do dëgjonin, por nga budallallëku i atyre që kyçnin dyert dhe sot hapen “bythësh” si intelektualë që duhet t’u dëgjohet fjala.

Unë nuk ja mbyll kurrë gazetën për çdo budallallëk që thotë e shkruan, thjesht për të treguar se me kë kemi të bëjmë si “intelektual”.

Pas kësaj mund të ankoheni të gjithë për lirinë e medias në Shqipëri, por jo bashkëpunëtorët e Berishës. Ata janë të gjithë të punësuar dhe të gjithë të respektuar nga qeveria.

Nëse kanë problem me siguracionet dhe rrogat, dhe për ato mund të ankohen tek Edi Rama. As Berisha nuk i ka respektuar sa ai. Por pas kësaj, të paktën mos flisni për shtyp të varur e të pavarur në vend, pasi këtu puna e gazetarit është njehësuar me punonjësit e shtypit të Sali Berishës.