Ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman u kritikua ashpër sot nga një tjetër qeveri e huaj për trajtimin e saj të krizës së emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan Sophia Sleigh për ”Huffpost”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Belizesë, Eamon Courtenay, mohoi raportet se vendi i tij po punonte me Mbretërinë e Bashkuar për të pranuar emigrantë.

Ai kritikoi sekretaren e Brendshme për planet e saj të dëbimit të emigrantëve, duke thënë se ato ishin “çnjerëzore”.

Gazeta pohoi se sekretarja e Brendshme, Braverman po shtynte bisedimet për alternativa ndaj planit të dështuar të Ruandës me Paraguajin, Perunë, Belizen dhe një vend afrikan.

Kjo është pavarësisht nga marrëveshja e diskutueshme për dëbimin e emigrantëve në Ruandë, që kushton miliona paund dhe nuk arrin qëllimin.

Courtenay shkroi në Twitter se “Belize nuk është në negociata me Mbretërinë e Bashkuar apo ndonjë vend tjetër për të pranuar emigrantë. Ne nuk do të pranojmë eksport emigrantësh. Kjo është çnjerëzore dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

Kjo është qeveria e dytë që ka reaguar për trajtimin e krizës së emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Dje, kryeministri i Shqipërisë nisi një sulm të ashpër ndaj Braverman për komentet që ajo kishte bërë për qytetarët e tij.

Edi Rama e akuzoi atë për “diskriminim” të shqiptarëve.

Princi i kurorës së Shqipërisë Leka II gjithashtu akuzoi Mbretërinë e Bashkuar se “na demonizon për përfitimet e të brendshme politike”.

Kjo situatë vjen pasi Braverman tha në Dhomën e Komuneve se “nëse laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, ata do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në MB, ata do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin plotësisht besimin e popullit britanik në kontrollin e sovranitetit tonë”.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak shpreson të arrijë një marrëveshje me vendin ballkanik që do të mundësonte largimin e emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin me varka të vogla brenda disa ditësh pas mbërritjes.