Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në Kuvend, teksa prezantoi Projektbuxhetin 2023, nënvizoi se ekonomia shqiptare është e fortë.
“A mund të më përmendni një vend në rajon, në Evropë, një vend që nuk është prekur nga lufta e Putinit? Një vend që është më i mirë se vitin e kaluar? Jo nuk ka! Dhe detyra jonë është të mbrojmë ata që janë më të ndjeshmit nga lufta. Ne me shumë kujdes, që në fillim të vitit planifikojmë dhe parashikojmë të gjitha politikat që do të ndikojnë rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve. Së pari ky buxhet adreson shtresa në nevojë. Kemi një rritje të konsiderueshme të të gjitha shpenzimeve për efektet sociale që ka dhënë kriza. Ne kemi marrë zotimin që askush nuk do të mbetet vetëm, që prej kohës së tërmetit. Ishin më shumë se 13 mijë qytetarët që mbeten pa shtëpi, dhe ne iu përgjigjëm menjëherë me program qiraje dhe ndërtim banesash. Ne i qëndruam pranë të gjithë qytetarëve edhe në kohën e pandemisë, nga e cila dolëm më të fortë. Ktheni kokën mbrapa dhe të kujtoni se çfarë parashikohej për ekonominë shqiptare në kohën e pandemisë. Por ne morëm masa dhe ekonomia u rikuperua shumë shpejt. Ekonomia jonë është e qëndrueshme dhe këtë e ka treguar në përballimin e 2 krizave të njëpasnjëshme”, tha ajo.
Ministrja u shpreh se Shqipëria ka inflacionin më të ulët në të gjithë rajonin.
“Ne e kemi vetëm 6.8% krahasuar me vendet e tjera që e kanë inflacionin dyshifror. Ne nuk kemi ndryshuar çmimin e energjisë elektrike për asnjë grup të popullatës. Tani, si ka mundësi që nuk ka kaq shumë inflacion këtu? Sepse nuk është rritur kostoja e prodhimit, sepse këtë barrë e ka mbajtur buxheti i shtetit. Prodhimi bujqësor vendas është rritur. Ne kemi pasur disa vite më parë një raport import-eksport 1 me 7, sot është 1 me 3. Rreziku për të qenë i varfër në vend sot është 21.8%, dhe kjo tregon një tjetër të pavërtetë që opozita thotë. Dhe kjo shifër vijon të ulet nga viti në vit. Ne përmes këtij buxheti do të garantojmë rritje ekonomike që do të vijë me investime të rëndësishme. Projektligji do të vijojë mbështetjen për energjinë elektrike me 12 mln lekë, bashkë me 80 mln eurot e Bashkimit Evropian. Rritja e pagave do të jetë një tjetër premtim që do të mbahet. Do të rritet paga minimale me 36 mijë lekë”, tha Ibrahimaj.