Një prej ish- mësueseve që u vlerësuan me medaljen e mirënjohjes në 60-vjetorin e gjimnazit “Sami Frashëri”, Eva Karagjozi, rrëfeu edhe një episod të shumë viteve më parë, kur kryebashkiaku Erion Veliaj ishte nxënës në këtë shkollë.
Ish-mësuesja e ‘Samiut’ tregoi se ishte pikërisht Erioni, ai që ngriti zërin asokohe për kushtet e këqija ku ndodhej shkolla e tij, gjatë një vizite të Dashamir Shehit, në cilësinë e zëvendëskryeministrit nën qeverinë Meksi-Berisha në vitet 1994-‘96.
“Ndihem shumë e lumtur që nxënësit e “Sami Frashërit” i kemi këtu, me bukuritë e tyre, me pozicionet e tyre dhe me gjithçka japin. Kryetarin e bashkisë e kam njohur në një moment, që dua t’jua them, sepse nuk i kam dhënë mësim. Kur erdhi Dashamir Shehi për të parë shkollën, unë i thashë: “Do të çoj në një klasë”. Aty pikonte uji dhe i kishim vënë një kovë poshtë. Erioni foli disa fjalë dhe unë shkoj lart dhe pyes: “Kush ishte ai Erioni?”, se më bëri përshtypje. “Është djalë shumë i mirë më thanë” dhe unë sot e shoh kryetar bashkie. E di që ai ka bërë të pamundurën për këtë shkollë”, tha ajo.