Me një fjalim të gjatë, demokratja Grida Duma la sot përfundimisht mandatin si deputete e Partisë Demokratike. Demokratja u shpreh se pavarësisht zhgënjimeve të mëdha, pengjeve, mundit e sakrificës do jetë përjetësisht e djathtë, sepse këtë bindje politike ka dhe ka pasur gjithnjë. Megjithatë, pengu më i madh i Grida Dumës nuk është lënia në mes i misionit të saj për të ideologjinë e së djathtës, por fakti se sulmet e politikës nuk u mjaftuan me të, por edhe me të birin.
‘Nuk i jam larguar përgjegjësisë edhe kur më kanë goditur personalisht, mjerisht sepse nuk gjetën dot një aferë korrupsioni, një nderje duarsh. Jam sulmuar na hiena që të më brejnë personalit. Sot do t’ju them që ka një gjë që nuk do ja fal kurrë politikës llumi që ndoshta do jetë pengu, goditja që më bënin mua në brez, godiste pandërprerë tim bir, nuk e kam falur kurrë dhe as nuk do t’ja harroj politikës së llumit dhe shpresoj të ketë qenë një mësim për të. Herë pas herë dalin me fytyrën e ngrirë sikur po shpikin rrotën. Do t’i shfaqen edhe atij fytyra të atyre të korruptuarve të nginjur,’- tha Duma.
Grida Duma ka lënë mandatin e deputetes. Lajmin e bëri me dije në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit. Duma po e lë mandatin e deputetes për t’iu futur botës së televizionit. Dje u raportua se Duma do të nisë një emision dy herë në javë në Top Channel.
Mandati i Grida Dumës i kalon Ori Nebiajt, pasi në zgjedhjet e 2021 ka siguruar 5599 vota preferenciale. Ende nuk dihet nëse Nebiaj do ta pranojë mandatin, pasi ajo gjithashtu është e angazhuar në botën e televizionit. Një ditë më parë mandiatin e deputetit e la edhe demokrati Alfred Rushaj. Ai u largua për shkak të angazhimeve personale, ndërsa vendin e tij do e marrë Petrit Doda.