“Protestë kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”. Me këtë thirrje komuniteti shqiptar në Angli organizoi grumbullimin një ditë më parë pranë parlamentit në Londër.

Tubuesit protestuan kundër racizmit të shprehur nga sekretarja e brendshme britanike Suela Braverman, e cila pohoi përpara ligjvënësve vetëm shqiptarët e mbërritur me gomonet e jo 11 nacionalitetet e tjera të rreth 40.000 personave që kanë zbarkuar këtë vit në brigjet angleze, duke i etiketuar kriminelë.

Arlinda Ballcaj, aktiviste dhe lobuese në Partine Konservatore në Britani tregoi në një intervistë për Euronews Albania se është përballur me racizëm dhe dhunë fizike në Britani, kur ka kandiduar për kryetare bashkie në qytetin ku jeton.

Sipas saj, është e pavend që të përgjithësohet një komb i tërë me disa individë.

“Unë jam një person që jam përballur me racizmin. Kam kandiuar si kryetare bashkie në vendin ku jetoj dhe jam sulmuar online dhe fizikisht nga persona të caktuar që mendonin se nuk ishte normale që një shqiptare si unë dhe e çuditshme, kjo është fjala që përdornin, të isha kryetare bashkie.

Më kanë sulmuar me një qen bulldog dhe kam përfunduar në spital me hemorragji. Fatkeqësisht unë nuk mora votat e duhura, por kam pozicione të mira në Partinë Konservatore dhe jam në listën për deputete e ardhshme. Nuk mund të përgjithësohen të gjithë njerëzit”, tha ajo.