Diana, një shqiptare nga Kosova ka ardhur në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan për t’i dhënë një mesazh një njeriu me të cilin nuk ka aspak lidhje gjaku. Por përpara se të na zbulojë se kë ka thirrur në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo nis të tregojë pak për veten.

Diana vjen nga Podujeva dhe sot që është 28 vjeçe, ndërsa i rikthehet kujtimeve të së kaluarës, mendon se janë pikërisht situatat që ka kaluar që herët të cilat e kanë bërë të zbulojë veten prej një moshe të vogël.

Diana: Një situatë të cilën e rikujtoj shpesh është një situatë me gjyshin tim, i cili gjithnjë më mbante nga dora ndërsa ecja luftës.

Ardit Gjebrea: Janë ato ecjet që edhe ne i kemi në memorien tonë si komb, padiskutim. Ato ecjet e gjata, ato karvanet me njerëz që iknin nga lufta dhe tashmë të parafytyrova me gjyshin që të mbante për dore.

Diana: Është një figurë e cila ngulitet në mendje edhe pse jeta vazhdon dhe ne duam t’i harrojmë ato, por prapë janë pjesë të cilat, shpeshherë them edhe kur bëj prezantime përgjatë botës, them se është pjesë e cila neve na ka bërë të fortë dhe ne tashmë jemi krenarë edhe pse kemi mbijetuar disa prej nesh, në atë situatë aq të vështirë. Ato ecjet që ju i përmendët janë pak më të kthjellëta në memorien time për arsye se aty e pashë veten se çfarë personi jam.

Ardit Gjebrea: Në ç’kuptim?

Diana: Ishte një situatë kur unë mbaja përdore gjyshin tim dhe mbrapa shihja mamanë e cila mbante motrën, im atë ecte me gjithë valixhet që familjarët kishin, gjyshi gjithashtu dhe shihja para meje familjarë të tjerë që ecnin, mbanin mbi supe fëmijët e tyre. Dhe unë hedh një sy tek gjyshi dhe shoh që ai ndihej shumë i lodhur, kishim ditë të tëra të cilat ne ecnim rrugës dhe pa ndalur ndoshta, pa ngrënë ushqim.

E di se mami mbante me vete një qese me sheqer që neve fëmijëve të mos na binte të fikët përgjatë rrugës dhe në ato momente hedh një sy tek gjyshi dhe e shoh se sa shumë ai e vuante që nuk mund të më mbante mua mbi supe sepse edhe vetë kishte arritur një moshë e cila ishte pak delikate, ai mezi e mbante edhe veten që të ecte, nuk ishte e lehtë për asnjë person ajo situatë. Dhe unë i drejtohem i them “o gjyshi, i sheh ata fëmijët para? I kanë bërë nga 5, 6 vjeç, 7 vjeç dhe familjarët e tyre i mbajnë mbi supe? Sa e turpshme që është ajo!”

Edhe pse unë me vete doja që dikush të më mbante mbi supe por doja që ta largoja në një moment të caktuar atë dhimbjen që ai e mbante përderisa më mbante mua në dorë. Dhe kjo ka qenë një situatë të cilën e kam reflektuar më vonë, kur fillova të punoja me fëmijë dhe e ndieja se çdo gjë që e bëja, e bëja me një dashuri tejet të madhe, e cila më rridhte nga shpirti dhe thoja ka filluar që herët kjo punë.