Nga Ben Andoni
Me këdo që flet nga ana e PD-së dhe ku shqetësimi mbetet i njëjtë dhe i arsyeshëm bashkimi, kur pyetet se pse nuk shmanget Berisha dhe automatikisht palët do e gjejnë gjuhën, merr përgjigjen standarde: Ai e ringjalli PD-në dhe vetëm ai mund t’i mobilizojë njerëzit! Kjo është e vërtetë kur shikon protestuesit që ka mbledhur, por jo mënyrën sesi kanë rrjedhur punët në PD. Për fat të keq, organizimi kryesor politik opozitar nuk ka qenë kurrë më keq në historinë e vet politike, kurse njerëz të ndryshëm po mundohen që t’i japin kurajë duke pritur që gjërat të ndryshojnë me protestat e pretenduara, që ndryshe nga çfarë u tha janë larg realitetit të premtuar.
E para sepse ato improvizohen; kurse e dyta plani për protesta të vazhdueshme ka rënë tashmë që mbaroi vjeshta për arsyen e lodhjes së njerëzve por mbi të gjitha e arsyes. Për fatin e tyre, qeveria Rama përballë vështirësive të mëdha të gjithfarëllojshme (të brendshme dhe të jashtme) dhe cinizmit të kryeministrit i ka dhënë karburantin e mjaftueshëm Berishës që tashmë të bëj dhe kryeministrin në hije, anipse pa rregulluar ende punët në oborrin e vet. Bash atë oborr që e kalli në zjarr dhe gaz me Bashën në janarin e këtij viti. E ndjekin një grup i madh njerëzish, kurse po një pjesë bajagi jo e vogël, krahasuar me “paraardhësin” (në fakt, rezultoi se Basha ishte zgjatimi i tij) nxjerrin justifikime për natyrën demokratike të Berishës dhe të gjithë procesin e tij të momentit, sikur flasin me siguri për papën e Romës.
Vetë Berisha që ka të hapur çdo medium në vend jep shfaqje të tepërta demokracie dhe ringritje, duke mos e fshehur dëshirën panginjur të rikthehet në një pushtet, të cilin tregoi se e administroj deri në 2013 në një mënyrë që sot duhet të harrohet por edhe duke mos e pranuar precedentin: se pas humbjes duhet të hapësh udhë për ndryshim. Për më keq, e bëri sa për sy e faqe me një shfaqje që tani përbën humor.
Sakaq, ndërsa po “e konfuzon” krejt publikun me arritjet “e tij të demokracisë” por edhe me shfaqjet e vazhdueshme të presionit dhe një retorike shumë agresive, ai duket se është tejet i motivuar për të përcjellë Partinë Demokratike drejt një udhe, e cila duket krejt pa sens, ku energjia më e madhe është për t’u bërë presion kundërshtarëve brenda partisë; dhe e dyta duke e bashkuar problematikën e tij të non-gratës për t’ia ngarkuar në kurriz si barrë shtesë PD-së që shqetësimin e drejtë e ka për t’u rikthyer në pushtet. Po harron veçse, një fakt, se nëse Basha, benjamini i tij, thjesht e shmangu, njerëzit që ka tashmë pranë vetes do ta nxjerrin fare nga partia, pasi cilido që do ketë tagër zyrtar te PD-ja do t’i kërkohet më së pari: sjellja e tij/saj ndaj zotit Berisha.
Ndaj ky fluturim në askund i Berishës, ku duket se e ardhmja është krejt e vendosur për të, i ngjan udhës pa krye të Dedalit dhe Ikarit. Një krahasim mbase i fryrë, por që i shkon orekseve të mëdha dhe nuk i përgjigjen realitetit. E para se ashtu si Dedali nuk i shmangesh dot destinit, kurse, e dyta se si i biri, Ikari, që synoi të bënte më të pamundurën me pendët e shqiponjës dhe krahët që i shkrinë kur tentoi t’i afrohej diellit: Nuk e sfidon dot rrjedhën. Ikari s’mundi të fluturonte sepse ra në det, pré e egos së tij, kurse Dedali nuk mundi më kurrë të ndërtonte, si më parë.
Interpretimi është në duar të atyre që e njohin mirë mitin, por brenda janë të gjitha arsyetimet se nuk i shmangesh dot destinit (Dedali), por edhe po e bëre do përballesh me forcën e fatit; dhe, si Ikari nuk mund të bësh dot gjëra të pamundura, të paktën kur ta bëjnë të qartë (siç ja kanë vënë në dukje Berishës dhe PD) se arsyeja, koha dhe mbi të gjitha pushteti i të papërballurës të vendosen përballë. Dhe, kur nuk “e bashkoj” dot PD-në, historia duket se i ka blatuar Berishës një vend pushimi, ku duhet të presi me durim verdiktin e saj.