Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka zgjedhur t’i urojë ndryshe festat në nëntorit. Kushi ka publikuar disa prej punimeve fituese nga konkursi i pikturave “Shqipëria ime 2022”. Ministrja thotë se artistët e vegjël përmes këtyre pikturave i kanë bërë promovim Shqipërisë përgjatë muajit nëntor, ndërsa njofton se së shpejti ato do të vendosen në një ekspozitë.
“Urimin më të përzemërt për Festat e 28-29 Nëntorit dua ta përcjell përmes fituesve të konkursit të pikturës “Shqipëria Ime 2022″. Këta artistë të vegjël të talentuar i kanë bërë gjatë këtij muaji promovimin më të veçantë Shqipërisë sonë të bukur, duke përcjellë vlerat më të larta të atdhedashurisë, krenarisë kombëtare, figurave dhe simboleve tona më të dashura, si dhe ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e popullit tonë.
Këto janë çmimet sipas vlerësimit të publikut (përmes pëlqimeve reale) për tre albumet e publikuara sipas grupmoshave të klasave 1-5, 6-9 dhe 10-12.
Së shpejti, këto piktura dhe të gjitha pikturat e tjera finaliste në të treja albumet do t’i gjeni në një ekspozitë të veçantë që do ta shpallim në ditët në vijim, ku do të organizojmë edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve me pjesëmarrjen e të gjithë finalistëve. Ju falënderoj të gjithëve me zemër dhe ju uroj gëzuar festat”, shkruan Kushi.