Rreth 2500 nxënës kanë aplikuar në konkursin e pikturës “Shqipëria Ime”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi falënderoi të gjithë nxënësit që u angazhuan për të sjellë krijimet e tyre për këtë konkurs pikture.
“Rreth 2500 nxënës kanë aplikuar në këtë konkurs, duke na sjellë vizatimet dhe pikturat nga vendi ynë i mrekullueshëm dhe nga momente e figura simbolike të historisë që do të mbeten të paharruara për vlerën e madhe kombëtare që mbartin. Pas përzgjedhjes së parë nga juria profesioniste, ju ftojmë të vendosni ju se cila nga këto punime do të jetë fituese”, theksoi Kushi në një postim në rrjetet sociale duke ndarë edhe disa nga punimet e nxënësve.
“Shpallim të hapur këtë konkurs digjital përmes këtij albumi të parë me artistët më të vegjël, por jo më pak të talentuar të arsimit fillor (klasa 1-5)”, u shpreh Kushi.
Ministrja Kushi nënvizoi se, fitues do të përzgjidhet punimi që ka më shumë pëlqime nga persona realë, deri më datë 25 nëntor.
Kushi theksoi se, në ditët në vijim do të publikohen edhe albumet e tjera të nxënësve të arsimit të mesëm të ulët (klasa 6-9) dhe arsimit të mesëm të lartë (klasa 10-12).