Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) me rreze të mjaftueshme për të goditur territorin e SHBA-ve, tha ministri japonez i mbrojtjes.
Raketa ra në det afërsisht 210 km në perëndim të Hokkaido. SHBA e ka dënuar nisjen, ndërsa Koreja e Jugut ka urdhëruar masa më të forta parandaluese kundër Veriut.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui, paralajmëroi të enjten për një përgjigje më të ashpër ndaj çdo pranie të shtuar ushtarake amerikane, bën me dije BBC.
Ajo lëshoi gjithashtu një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në të njëjtën ditë. Kjo pasoi takimin e së dielës midis Yoon, Presidentit të SHBA Joe Biden dhe kryeministrit të Japonisë Fumio Kishida në Kamboxhia.
Të premten, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson tha se Biden ishte informuar dhe SHBA do të konsultohej me partnerët, transmeton abcneës.al.
Koreja e Veriut ka lëshuar më shumë se 50 raketa gjatë dy muajve të fundit, shumica e tyre me rreze të shkurtër. Këto lëshime me rreze të gjatë janë më të rralla dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në, pasi raketat janë projektuar për të transportuar koka bërthamore kudo në kontinentin e SHBA-së.