Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme, kryebashkiaku Erion Veliaj ironizoi opozitën, e cila sipas tij financohet nga rublat ruse dhe votoi pro raportit të Dick Martyt.
“Jam i lumtur të njoftoj se qyteti po përgatitet të presë krerët e Bashkimit Europian në datën 6 dhjetor, po ashtu edhe krerët e Ballkanit Perëndimor. Ka shumë veta që më thonë pse nuk hyn në debat me ata që shajnë Tiranën. Së pari, kur BE vendos që Tirana të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, më pas edhe i Sportit, mandej për herë të parë në një qytet Ballkanik të vijnë të gjithë krerët e shteteve të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, plus gjashtë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, vjen Dua Lipa dhe Rita Ora, të gjitha këto flasin më shumë se debatet me lloj-lloj çudirash që dëgjojmë nga ata që e kanë kthyer në sport kombëtar sharjen e Shqipërisë dhe financimin nga rublat e Putinit dhe atë që bëjnë me raportin e Dick Martyt.
Po të shikosh faktet, këta njerëz e urrejnë gjithmonë Shqipërinë, jo vetëm sot që po afron fushata. Këtë kanë bërë edhe kur votuan për të futur krerët e UÇK-së në burg, edhe kur votuan raportin që në Shqipërinë tonë u merrkan veshkat dhe organet”, deklaroi Veliaj.