Ditën e sotme është afati i fundit për aplikimet për kreun e SPAK. Deri më tani 3 kandidatë kanë aplikuar për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion për 3 vitet e ardhshme. Prokurorët Edvin Kondilli, Adnan Xholi dhe Altin Dumani kanë depozituar kërkesën për garën për kreun e SPAK.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas nenit 148/dh, pika 3, të Kushtetutës, emërohet me shumicë votash nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreu të SPAK-ut është 3 vjet dhe nuk ka të drejtë që të rizgjidhet për një mandat të dytë.
Arben Kraja përfundon mandatin në datën 19 dhjetor. Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite.
Cilat janë kompetencat e kreu të SPAK?
Kreu u SPAK është më shumë një administrator i institucionit dhe nuk ka asgjë në dorë të ndikojë mbi dosjet. Ai nuk mund t’i japë udhëzime një prokurori për hetimet. Kjo është e ndaluar me ligj. Por, kreu i SPAK-ut u cakton çështjet prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre, koordinon punën e agjencitë dhe institucionet e tjera, paraqet buxhetin për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit në Kuvend, paraqet në KLP raportin vjetor të punës së SPAK-ut, thërret në mbledhje prokurorët e posaçëm, nxjerrë vetëm udhëzime të përgjithshme pa ndërhyrë në hetime për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit si dhe miraton rregulloret e firmosura nga drejtori i Byrosë së Hetimit. Gjithashtu, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i jep ‘ok’ kreu të Byrosë për emërimin e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Edhe gjatë mbledhjeve të SPAK-ut, kryeprokurori ka të drejtë vetëm të japë mendime dhe të diskutojë. Kreu i SPAK-ut jep mendime për rregulloren e brendshme administrative të organizimit të SPAK, lidhur me përshkrimet e punës të të gjitha kategorive të nëpunësve civilë, për ngritjen e komisioneve të brendshme sipas nevojës, mbi projektbuxhetin si dhe diskuton çdo çështje tjetër me rëndësi për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.