Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi sot dy takime të rëndësishme njohjeje me Mohammed Sadiki, ministër i Bujqësisë së Marokut dhe president aktual prej katër vjetësh i CIHEAM – Instituti Ndërqeveritar për Studime të Avancuara Agronomike, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të zgjedhur të këtij instituti, prof. Teodoro Miano. Në një postim në rrjetet sociale, Krifca u shpreh se “falënderova për besimin presidentin Sadiki, ndërsa biseduam për projektet e nisura dhe idetë e reja”.
“Mezi pres të aktivizoj edhe më tej bashkëpunimin mes vendeve anëtare për një koordinim efektiv me ekzekutivin si parakusht për detyrën e presidentes së kësaj organizate të rëndësishme, që prej 60 vitesh kontribuon për të promovuar bashkëpunimin shumëpalësh mesdhetar në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale, duke pasur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shteteve dhe aktorëve të agro-industrisë”, tha Krifca.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u zgjodh në mes të nëntorit presidente e Bordit Drejtues të Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM) organizatë që për 60 vjet kontribuon për të promovuar kooperimin multilateral mesdhetar në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale, duke patur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shteteve dhe aktorëve të agroushqimit.