Shqipëria ka zbritur në fushë për t’u përgatitur për miqësoret ndaj Italisë dhe Armenisë, që do luhen më 16 dhe 19 nëntor në “Air Albania”. Trajneri i ekipit kombëtar, Edi Reja ka ftuar 27 lojtarë për këto dy sfida. Në një raportim nga kompleksi Tropikal në Durrës, gazetari i SuperSport, Jurgen Zela raportoi lajmet e fundit nga kuqezinjtë, duke zbuluar lojtarët që nuk i janë bashkuar akoma skuadrës në seancën stërvitore, teksa thekson se Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për Rejën. 27 futbollistë, shumë mungesa, disa lojtarë janë të angazhuar me skuadrat respektive. Mungon Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Myrto Uzuni, Marash Kumbulla, Ivan Balliu, Arbnor Muçolli, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Keidi Bare, Eneo Bitri dhe Andi Hadroj. Enea Mihaj ka mbërritur pak më parë dhe i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje. Hysaj pritet të grumbullohet në orën e ardhshme, ndërsa Ardian Ismajli ka mbërritur rreth mesditës.


Me shumë gjasa, Berat Gjimshiti nuk do të jetë pjesë e Kombëtares, pas një komunikimi zyrtar mes trajnerit Reja dhe drejtuesve të Atalantës, pasi mbrojtësi ka probleme fizike. Në orët e ardhshme do të zbarkojnë në Tropikal edhe Marash Kumbulla dhe Ivan Balliu, i cili gjithashtu pret lejen e Rayo Vallecanos, por edhe Eneo Bitri dhe Andi Hadroj, të cilët luajnë sot me Partizanin. Kristal Abazaj ka pësuar një dëmtim të lehtë dhe nuk ka nisur stërvitjen me shokët. Myrto Uzuni pret të marrë leje nga klubi i Granadës, që vazhdon të jetë në aktivitet. Ekipit kombëtar i është bashkuar edhe Ernest Muçi në momentet e fundit. Për momentin, Armando Broja nuk i është bashkuar skuadrës në stërvitje, pasi ka një shqetësim fizik. Sulmuesi i Chelsea ka probleme në shpinë dhe pas një bisede me stafin mjekësor është marrë vendimi që të mos jetë pjesë e seancës së parë stërvitore të kuqezinjve, që të mërkurën zbresin në fushë përballë Italisë së Mancinit (20:45, SuperSport 2).