Carlo Bollino
Këto ditë, kur 1700 hektarë tokë dhe disa dhjetëra shtëpi u përmbytën në Shkodër, na u kthye në memorie ajo që ndodhi në dhjetor të 2010 po në Shkodër, kur e njëjta sasi uji përmbyti 25.000 hektarë tokë dhe 6000 shtëpi duke detyruar evakuimin e mbi 14.000 banorëve. Natyrisht, plaku Sali Berisha, i pranishëm sot ashtu si dhe atëherë në skenën politike, akuzon qeverinë për sa po ndodh këto ditë, ndërsa 12 vite më parë i konsideronte si “fatkeqësi natyrore pa asnjë përgjegjësi politike”.
Këto janë fakte të njohura. Ndrësa ato që jo të gjithë kujtojnë, është se për ato përmbytje, të prodhuara nga pakujdesia për territorin dhe bumi i ndërtimeve të paligjshme e të parregullta që bashkia dhe administrate e PD-së kishin lejuar, Berisha u imponoi një gjobë gjithë administratës publike, përfshi dhe policët: secilit prej tyre iu mbajt një ditë rrogë, si gjest “solidariteti” për popullsinë e përmbytur. Se ku përfunduar ato para dhe se si u shpenzuan, askush nuk e verifikoi më pas. Fakt është që prej vitesh banorët e përmbytur të Shkodrës nuk morën dëmshpërblimet e premtuara. Pra, Berisha u hoqi paratë nga xhepat e administratës publike dhe nuk i transferoi në xhepat e qytetarëve të përmbytur.
Metodën “Shkodra” Berisha e imponoi edhe një vit më pas, në mars të vitit 2011, pas tragjedisë së shpërthimit në Gërdec: ishte një krim shtetëror, pasi në atë fabrikë të vdekjes nuk ishin përfshirë vetëm krerët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura, por edhe djali i kryeministrit. Për të dëmshpërblyer viktimat e krimeve të bëra nga familja e tij dhe enturazhi i tij, përfshi dhe të ndjerin kunat që edhe vdiq aty, Sali Berisha iu rikthye marrjes me forcë nga xhepat e administratës publike të shumës së një dite pune nga rroga. Edhe mbi këtë “gjobë për solidaritet” qeveria nuk bëri kurrë transparencë se si u përdorën fondet, pasi edhe viktimat e Gërdecit pritën vite të tëra para se të dëmshpërbleheshin.
Kushdo që dëgjon sot Sali Berishën të japë leksione qeverisjeje të mirë dhe moraliteti, të kujtojë mirë se çfarë bëri me të vërtetë ai kur ishte në qeverisje.