Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Berlin kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Qeveria e Kosovës bëri me dije se fokusi i bisedimeve ishte marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe elementët e kornizës për normalizimin e plotë dhe njohjen reciproke. Mes të tjerash, biseda u fokusua në çëshjtjet e energjisë dhe reciprociteti i targave, nisur nga vendimet e fundit të Prishtinës.

Pas takimit Borrell ka shkruar në Tëitter se me Kurtin ka diskutuar edhe për situatën në veri të Kosovës, duke shtuar se djegia e veturave me targa RKS atje është e papranueshme.

“E diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të jenë të përmbajtur në veprime. Ne, gjithashtu, diskutuam për rrugën përpara për normalizimin”, shkroi ai.

Kurti ndodhet në Berlin si pjesë e samitit të Procesit të Berlinit. Pjesëmarrës janë krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen dhe Presidenti i KiE-së Charles Michel.

Me vendimin e qeverisë janë vendosur disa afate për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Sipas qeverisë nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.