Dejan Vukicevic nuk është më trajneri i Laçit. Rezultatet e dobëta këtë sezon në Superligë kanë sjellë shkarkimin e teknikut malazez. Në skenë për të marrë drejtimin e kurbinasve ka dalë Dritan Mehmeti, ish-trajneri i Partizanit që për momentin nuk drejton asnjë ekip në Superligë.
Nuk do ishte çudi që Laçi të emëronte në stol një emër tjetër veç Mehmetit, me presidentin Pashk Laska që ka befasuar shpeshherë me zgjedhjet duke gjetur njerëzit e duhur për stolin e ekipit. Mes tyre mund të jetë edhe Ramadan Ndreu.
Largimi i Vukicevic dukej i pashmangshëm në një kohë kur pas 12 javëve të para në Superligë siguroi 4 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje për vendin e shtatë në klasifikim me 14 pikë, 2 më shumë se zona e ftohtë. 54 vjeçari nga Podgorica largohet kështu për të dytën herë nga Laçi, teksa edhe sezonin e shkuar e drejtoi ekipin në 7 ndeshje.
Humbja e fundit 2-0 me Egnatian në Rrogozhinë ka qenë vendimtare për drejtuesit, që vendosën largimin e trajnerit. Në një kohë kur Superliga është pushim deri në 11 dhjetor për shkak të Kupës së Botës, Laçi i jep kohë trajnerit të ri për të njohur ekipin.