Kufiri i gjatë që ndan Finlandën me Rusinë kalon nëpër pyje të dendura, me gardhe të ulëta druri që kishin për qëllim të ndalonin gjedhët. Së shpejti, në disa pjesë të kufirit do të vendoset një gardh më i fortë e më i lartë.
Në fillim të këtij muaji, ushtarët polakë filluan të vendosnin gardhe me tela gjembi në kufirin me Kalingradin, një pjesë territori rus i ndarë nga vendi që shtrihet midis Polonisë dhe Lituanisë. Në zonën që dikur ruhej vetëm nga patrulla të rojeve kufitare do të instalohen kamera dhe një sistem mbikqyrjeje elektronik.
Rënia e murit të Berlinit më shumë se 30 vjet më parë simbolizonte shpresën për bashkëpunim me Moskën.
Tashmë, lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar një epokë të re konfrontimi në Evropë – dhe ngritjen e pengesave të reja prej çeliku, betoni e telash me gjemba. Megjithatë, ato po ndërtohen nga Perëndimi.
“Perdja e hekurt ka rënë, por një perde e re me tela me gjemba” fatkeqësisht po bëhet realitet për një pjesë të madhe të Europës”, thotë Klaus Dodds, profesor i gjeoplitikës në Universitetin e Londrës. “Optimizmi që kishim në Europë pas vitit 1989 ka rënë”.
Frika dhe ndarja kanë zëvendësuar euforinë kur gjermanët kërcyen në majë të Murit të Berlinit dhe thyen pjesë të barrierës të ngritur në vitin 1961 nga udhëheqësit komunistë. Ai shtrihej për 155 kilometra, duke rrethuar Berlinin Perëndimor deri në vitin 1989, kur autoritetet gjermanolindore hapën vendkalime pas protestave masive. Brenda një viti, Gjermania Lindore dhe Perëndimore u ribashkuan.
Disa vende në Bashkimin Evropian filluan ndërtimin e gardheve kufitare si përgjigje ndaj më shumë se 1 milion refugjatëve dhe emigrantëve të tjerë që hynë në Evropën jugore nga Lindja e Mesme dhe Afrika vetëm në vitin 2015. Në vitin 2015 dhe 2016, Rusia çoi mijëra azil-kërkues, edhe ata kryesisht nga Lindja e Mesme, në pikat e kontrollit kufitar në Veri të Finlandës.
Kur marrëdhëniet me Bjellorusinë u përkeqësuan pasi presidenti i saj autoritar Aleksandër Lukashenko u shpall fitues i zgjedhjeve të vitit 2020, që gjerësisht u cilësuan si të manipuluara, qeveria e Minskut dërgoi mijëra emigrantë nëpër kufijtë e BE-së. Në përgjigje, Polonia dhe Lituania ngritën mure përgjatë kufijve të tyre me Bjellorusinë.
Michal Baranowski, kreu i zyrës së Institutit gjerman “Marshal Fund”, në Varshavë, tha se shumica e analistëve të sigurisë besojnë se Bjellorusia koordinoi përpjekjet e saj me Moskën, “duke destabilizuar kufijtë tanë përpara luftës në Ukrainë”.
Nga frika e një krize tjetër migracioni si përgjigje ndaj sanksioneve kundër Moskës për shkak të luftës gati nëntëmujore në Ukrainë, udhëheqësit evropianë kanë filluar të forcojnë kufijtë e tyre.
Kryeministrja finlandeze Sanna Marin njoftoi planet për të fortifikuar pjesë të kufirit të vendit të saj, prej 1,340 kilometrash. Moska ka kërcënuar Finlandën dhe Suedinë me “pasoja serioze ushtarako-politike” për shkak të përpjekjeve të tyre për t’u bashkuar me NATO-n. Zonja Marin tha se fortifikimet do të ndihmonin në mbrojtjen e kombit kundër kërcënimit nga një valë e gjerë migrimi të orkestruar nga Kremlini.
Barrierat e reja ofrojnë mbrojtje të ulët nga raketat dhe tanqet. Qeveritë presin që muret, gardhet dhe mbikqyrja elektronike do të ofrojë në kontroll më të mirë të kufijve dhe do të ndalojë valët e mëdha të emigrantëve.
Zoti Dodds thotë se Rusia po angazhohet në një “konflikt qytetërimi me fqinjët e saj evropianë”.
Rusia bombardoi popullsinë e Sirisë në vitin 2015 “në një përpjekje të qëllimshme për të krijuar një krizë humanitare,” tha ai.
“Unë mendoj se ne që jemi jashtë Rusisë e kemi të vështirë të vlerësojmë se sa cinike, sa e mirëllogaritur, sa e qëllimshme është kjo çështje” tha zoti Dodds, autor i librit “Luftrat e reja kufitare: Konfliktet që do të përcaktojnë të ardhmen tonë.”
Përdorimi i migrantëve nga ana e Rusisë për të krijuar përplasje sociale në vende si Polonia, Lituania dhe Letonia ka bërë që qeveritë respektive të mos u ofrojnë atyre shansin për të aplikuar për azil dhe në shumë raste duke refuzuar hyrjen e tyre— siç ka ndodhur në vende të tjera evropiane si Greqia dhe Hungaria.
Aktivistët e të drejtave të njeriut në Poloni kanë protestuar kundër murit prej çeliku prej 5 metra e gjysmë të lartë, të ngritur përgjatë 186 kilometrave të kufirit të saj me Bjellorusinë, me arsyetimin se pengon njerëzit më të dobët, por jo më të vendosurit.
Ana Alboth nga Grupi i të Drejtave të Pakicave ka kaluar muaj në atë kufi.
Që kur muri përfundoi verën e kaluar, rreth 1,800 emigrantë e gjetën veten në pyje, të dëshpëruar për ushqim, ujë apo ilaçe.
“Është një territor shumë i vështirë, në lindje të Polonisë,” tha ajo. “Ka shumë kafshë. Kur shkova në një grup gjeta njerëz që ishin gjysmë të vetëdijshëm. Jam e sigurtë se si ata kishte edhe shumë të tjerë”.
Ajo tha se kohët e fundit u ndesh me grupe grash nga Sudani që dukej se ishin viktima të trafikimit njerëzor, si dhe studentë të mjekësisë nga Afrika që ishin në vitin e pestë të studimeve në Rusi.
“Ata thanë se ‘Rusia po shkatërrohet dhe ne duam të jetojmë në një vend normal,” tha zonja Alboth.
Një zyrtar i sigurisë së qeverisë polake, Stanislaw Zaryn, pranoi se muri kufitar nuk i ndalon të gjithë ata që kërkojnë të kalojnë ilegalisht, por shtoi se “muri lejon forcat tona të veprojnë me shpejtësi dhe me më efektivitet, pa patur nevojën për të vendosur shumë forca, sikurse vepronim më parë.
Si muri, ashtu edhe gardhi me Kaliningradin “përcjellin një mesazh të fortë për Minskun dhe Moskën se Polonia po e merr me seriozitet të jashtëzakonshëm sigurinë dhe integritetin e kufijve të saj”, tha zoti Zaryn.
Zoti Dodds tha se e kupton arsyen për të ndërtuar mure, por paralajmëron se ngritja e tyre rrallë e arrin qëllimin e synuar sepse shpesh i shtyjnë migrantët në udhëtime më të rrezikshme./VOA